E Shtunë, 31 Tetor 2026

E qeshura makabre e Fatmir Mediut në prokurori

U bënë dy ditë rresht që media fotografon ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të dalë i qeshur, madje shumë i qeshur nga dera e pasme e prokurorisë, me një kujdes të veçantë për t’u dukur i qetë dhe shumë i gëzuar. Është fjala për një njeri, mbi shpinën e të cilit rëndojnë 26 të vdekur, mes të cilëve fëmijë shumë më të vegjël se fëmijët e tij, bura dhe gra, punëtorë të drobitur, 300 të tjerë të gjymtuar, dhe rreth 2 mijë shtëpi të shkatërruara. Është një bilanc që do kishte mbyllur brenda në shtëpi në një pikëllim të përjetshëm çdo njeri normal në këtë botë, edhe sikur të mos kishte asnjë fije përgjegjësie për atë që ndodhi. Por, ish-ministri ynë, jo vetëm që nuk ndjehet i prekur nga ajo që ka ndodhur, por në ditët kur vëmendja kombëtare është rrotull godinës së ciflosur të drejtësisë shqiptare, nga ajo godinë del për dy ditë rresht një i akuzuar i lumtur, i qeshur, gati-gati në ekstazë. Ky është Fatmir Mediu!

Po ç’e bën kaq të gëzuar këtë njeri?

Mendja të shkon rëndom te fakti se ai qesh, ngaqë nuk do të duket i mërzitur. Me mendjelehtësinë e tij klasike, mendon se mënyra më e mirë për t’u dukur i pafajshëm është të duket i gëzuar. Ky arsyetim semplist që përpiqem t’i bëj për të justifikuar atë qeshje barbare, kur del nga një godinë ku hetohet së paku për vrasje fëmijësh të pafajshëm duke parë “Bang-Bang”-un në TV, në mëngjesin e 15 marsit, është një arsyetim që mund t’i afrohet së vërtetës. Ata që njohin boshllëkun intelektual të atij njeriu dhe lehtësinë me të cilën merr skandalet dhe dramat e mëdha, e besojnë lehtë se ai qesh për t’u dukur i pafajshëm. Por askush nuk është më në pritje të përfundimit të hetimeve, vetëm për të parë Fatmir Mediun të lirë apo në burg. Të gjithë ata që presin të mbarojnë hetimet, janë në makth për të parë nëse shoqëria jonë do të reagojë si një shoqëri e emancipuar ndaj një krimi shtetëror që shkaktoi vdekje njerëzish. Makthi i shoqërisë sonë ose së paku i asaj pjese që ende beson te drejtësia, ka të bëjë me faktin se sa do të arrijë drejtësia jonë të vërë në vend dinjitetin e viktimave. Në çdo vend të botës, po të kishte ndodhur kjo ngjarje, ditën që nisnin hetimin apo gjykimin personazhet fajtorë, gjykatat dhe prokuroria do të rrethoheshin nga protestues që do të kërkonin drejtësi. Në të vërtetë, institucionet tona nuk janë të rrethuara nga asnjë qytetar që të protestojë ndaj fajtorëve të pritshëm, por janë të rrethuara nga policë që i rezervojnë hyrje sekrete dhe pozim për të qeshur njeriut që është përgjegjës së paku për 26 vdekje njerëzish. Dhe ky njeri bën kujdes të buzëqeshë, pastaj të qeshë deri në gajasje, ndërsa beson se kamerat po e filmojnë. Kjo tregon realisht kë kemi pasur ministër, kujt i kemi besuar ushtrinë dhe pse ka ndodhur Gërdeci. Gjithë këto gjëra i ka pasur në dorë një njeri që qesh ditën e hetimit të tij, një njeri që ndjehet i gëzuar, se mund të bëjë pazar me prokurorët dhe nuk ndjehet i mërzitur, se familjarët e së paku 26 të vdekurve e shikojnë të dalë i gëzuar nga zyrat ku hetohet arsyeja pse ata baballarët s’i kanë më fëmijët, pse ata fëmijë s’kanë më prindër, pse ata vëllezër s’kanë më motra, pse ato motra s’kanë më vëllezër. Ky njeri nuk do t’ia dijë për ata. Ai do të duket doemos i lumtur, që të gjithë të mendojmë se lumturia e tij buron nga pafajësia e tij.

Por një arsye e dytë përse është i qeshur zoti Mediu mund të gjendet veçse te papërgjegjshmëria e tij dhe tek ajo ç’po ndodh brenda atyre zyrave. Shteti është mobilizuar të shpëtojë Fatmir Mediun. Kryeministri, Sali Berisha, është angazhuar personalisht për t’i nxjerrë licencë avokati brenda 24 orëve Adrian Vishës, një ish-prokurori që vetë Sali Berisha e ka cilësuar korrier dhe herë-herë trurin e bandës “Hakmarrja për Drejtësi”. Keqkatandisja e shtetit tonë dhe vetë Sali Berishës bëri që të kthehet në ushtar të Adrian Vishës dhe të urdhërojë ministrin Alibeaj t’i japë licencë për 24 orë. Kjo mund ta ketë bërë të lumtur Fatmir Mediun dhe siç nuk frenon dot fjalët dhe kur thotë broçkulla, nuk mund të frenojë dot as të qeshurën para zemrave të copëtuara të shqiptarëve që kërkojnë drejtësi.

Por ka dhe një arsye mbi arsyet pse ai është aq i qeshur. Shpreson se ka gjunjëzuar prokurorinë, se ka blerë pushtetin dhe opozitën, se ka rregulluar formalisht letrat dhe se për këtë shkak mund ta hedhë lumin pa u lagur. Dhe kjo e bën të qeshur dhe të lumtur, përkundër zymtisë dhe vajit që ka mbjellë në qindra familje shqiptare. Njësoj si ky, edhe Mihal Delijorgji qeshte i lumtur ditën që e çuan nga gjykata në qeli. Njësoj si ky, dhe ai nuk ndjehej keq që e shikonin familjet e fëmijëve të vrarë dhe të afërmit e punëtorëve të zhdukur. Njësoj si ky, ai donte të çonte mesazhe sigurie te njerëz të tjerë me të qeshurën e tij. Por askënd nuk qetëson dot, as veten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›