Takimi im me Zogun në Romë nën hijen e Koloseumit
Vijon nga numri i kaluar
Në Elbasan - 16 shkurt 1916 - ai nuk e la veten të flinte në gazmendin që e kishte zatetur, po për të mundur që t'u bënte
ballë të gjitha ngjarjeve dhe që të mund t'i thoshte ushtrisë bullgare që po afrohej, se nuk ekzistonte asnjë arsye politike,
ushtarake dhe juridike për të dhunuar flamurin kombëtar të Skënderbeut, krijoi një Asamble Kombëtare të përkohshme, organizoi
shërbimet e shtetit të cilat mungonin, përmirësoi e plotësoi brenda mundësisë ato që ekzistonin dhe u vu në krye të një
komiteti që do të përgatiste për datën 18 mars një Asamble të madhe definitive, e cila mund të drejtonte fatet e atdheut
gjatë Luftës Botërore.
Në këtë Asamble qenë thirrur dhe përfaqësuesit e kolonive shqiptare jashtë.
Po Austria mendonte ndryshe. Ndërkaq, August Kral, - sado zbatues i zoti i direktivave të Vjenës, mori vesh për përgatitjet,
nga një letër e Zogut, i cili i shprehej se duhej ta konsideronte miqësore, nismën shqiptare që synonte të siguronte triumfin
e parimit të nacionalitetit, dhe madje larg nga çdo kundërshti kundrejt popujve miq të Monarkisë Austro-hungareze, - zbulon
se cilat ishin qëllimet e albanofilisë vieneze: një numër i madh batalionesh hyri në Elbasan duke i dhënë fund çdo
përgatitjeje e duke kërcënuar për zbatimin e ligjit ushtarak. Jo vetëm që bëri këtë, por ushtria i shtriu degëzimet e veta në
të gjitha ato zona që nuk ishin pushtuar nga ushtria kundërshtare.
Në këto rrethana ushtria austriake bëri çmos për të mos e nervozuar Mbretin e ardhshëm dhe prandaj ajo i dërgoi një komision
me në krye Princin Windischgraetz, duke e ftuar që të merrte pjesë në një nismë të sinqertë bashkëpunimi e duke i zgjedhur
gjithashtu si dhuratë gradën e kolonelit austriak.
Megjithëse mjaft i mërzitur, Zogu nuk e la veten që të rrëmbehej nga zemërimi, e mbajti veten dhe kështu gjeti fjalë
mirësjelljeje dhe falenderimi përkundrejt nderit që po i bëhej, po, në të njëjtën kohë, diti të gjente mënyra për ta
mënjanuar me takt ftesën që komanda austriake i bënte për bashkëpunim.
Atëherë e lutën që të shkonte në Shkodër që të bisedonte me August Kralin, i cili nuk deshi t'i nënshtrohej këmbënguljes së
patriotit kurajoz, influencës së të cilit ai i druhej.
Dueli ndërmjet përfaqësuesit dinak të imperializmit austrohungarez dhe pinjollit të nacionalizmit shqiptar ka qenë dramatik.
I pari është strukur në atë formulë që atij i duhej patjetër për të ardhmen e Shqipërisë, një "bashkëpunim i sinqertë" -
ndërsa i dyti, e kundërshtonte vazhdimisht duke deklaruar se sinqeriteti dhe shtypja nuk mund të bashkëjetonin, sepse
pretendimi nga ana e Austrisë që t'ia siguronte vetes administrimin e brendshëm të vendit ishin të papajtueshëm me
sovranitetin e një populli të pavarur, të cilin po e zhvishnin nga të drejtat e tij të ligjshme që të ishte i zoti i tokës së
vet.
Nuk bënë aspak dobi as përkëdheljet frenuese as kërcënimet; të parat ai ia hidhte poshtë me indinjatë, kurse të dytat, me një
buzëqeshje mirësjelljeje tallëse dhe përbuzëse.
Në këto kushte August Kral vendosi ta pushtonte kështjellën duke e rrethuar me një mirësjelljeje të plotë.
I krijoi mundësira shëtitjesh dhe qëndrimesh plot qejfe gjatë bregdetit dalmat, duke bërë që Atë ta prisnin kudo me nderime
të mëdha. Ka qenë pikërisht në këtë periudhë që Ai fluturoi për herë të parë me aeroplan, duke ruajtur nga ky rast një kujtim
të gjallë humoristik të frikës që kishte pasë rrëmbyer funksionarin e lartë vienez që e shoqëronte gjatë fluturimit. Edhe
sot, Ai qesh, në rast se dikush ia hedh fjalën mbi këtë argument.
Madje, as dhe nderimet e mëdha që iu bënë e as dhe pritjet princërore dhe përkujdesjet e tjera të të gjitha llojeve, nuk
vlejtën aspak që ta bënin Zogun të ndërronte rrugë.
"Nuk ka mundësi", përgjigjej Ai, "t'ju duam me të vërtetë fort, nëse duhet t'ju shërbejmë, nëse na vihet në diskutim e drejta
për të qenë zotër në shtëpinë tonë. Ju keni ardhur këtu për të përzënë serbët dhe jo për të shtypur shqiptarët; ju jeni duke
bërë një luftë, për të cilën ne nuk jemi fajtorë. Nëse së bashku kemi interesa të ndërsjellta për të luftuar serbët,
koinçidencë kjo që është e dobishme edhe për ne, por gjithsesi ne nuk mund të heqim dorë nga sovraniteti ynë tokësor. Duke i
përzënë serbët nga Shqipëria, ju keni eleminuar një padrejtësi të hatashme dhe do të bënit një punë të merituar duke ia
kthyer vendit tonë të gjitha tokat ku flitet gjuha jonë; - por fatkeqësisht, në vend të kësaj vepre kalorsiake drejtësie, a
mos po doni të zini vendin e armiqve tanë? Këtu nuk bëhet fjalë për tokat e tyre, po për tokën shqiptare!"
Këto argumente - që rriheshin ditë për ditë, po gjithmonë pa kurrfarë rezultati, - nuk mund të refuzoheshin me argumente
seriozë, duke lënë autoritetet e larta austriake në një gjendje që s'dinin se nga t'ia mbanin. Por ama këtyre të fundit duhet
t'u njihet merita që e kanë respektuar deri në një farë pike këtë personalitet të madh, magjepsës të djaloshit kundërshtar
për kurajon e madhe dhe bisedimet e sinqerta dhe gjeniale të tij.
Po, nëse August Kral hiqte dorë nga dëshira për ta eleminuar djaloshin e rrezikshëm idealist, me anë të shumë mjeteve
politike ose luftarake që kishte në dorë, ai megjithatë nuk mund të hiqte dorë nga dëshira që, të paktën, t'ia neutralizonte
Atij aspiratat e zjarrta. Kështu që ai ia nisi me frikësime konkrete, me qëllim që ta bënte t'i vinte gishtin kokës, duke i
shkatërruar grupet që formonin unazat e zinxhirit zogist, duke ia goditur sidomos oficerët.
Po për tre nga oficerët besnikë të Zogut, të cilët u pushkatuan nën pretekstin se gjoja po konspironin kundër Trupës Vepruese
ushtarake austriake, populli i Matit automatikisht dhe pa e zgjatur më shumë, vuri në zbatim ligjin e talionit (hakmarrjes
kokë për kokë - shën. i red.), kundër oficerëve e ushtarakëve austriakë.
Dhe meqë dhe ky sistem doli se ishte gjë e rrezikshme ata ua hynë atëherë masave të sistemit të goditjeve të fshehta e
sfilitëse policeske, e cila, në disa ambjente vieneze kishte pasur mjeshtra të mëdhenj. Filluan të përndjekin parinë si dhe
popullin e thjeshtë duke i çarmatosur, duke i internuar e ngujuar shtëpitë e tyre me urdhër të prerë që të mos lëviznin në
kurrfarë mënyre.
Po ama këto masa parandaluese, sado të efektshme që të ishin, s'ishin kurrsesi të tilla në mjedisin drithërues, që kishte
krijuar Udhëheqësi, t'i detyronte populllin që të hiqte dorë nga rezistenca. E panë pra të udhës që të merrnin masa të
përkohshme në pritje që të vendosnin një masë rrënjësore. Dhe rasti për një gjë të tillë u paraqit, aspak për meritë të
funksionarëve dhe të oficerëve të trembur: ky rast qe vdekja e Perandorit Franc Jozef dhe hipja në fron e Karlit I-rë.
Kështu falë një pune propagandistike të agjentëve ose aftësisë së madhe profesionale, u përgatit terreni që të dukej një gjë
fare e natyrshme që një delegacion shqiptarësh, në shenjë mirësjelljeje dhe miqësie, duhej të shkonte në Vjenë për t'i
paraqitur urimet Perandorit dhe se nga ana tjetër, ky delegacion duhej të kishte në krye të vet një personalitet të lartë, si
për shembull Zogu.
Ftesës së servirur në kësi formash, Ai e pati të pamundur që t'i shmangej si edhe një udhëtimi në Vjenë, pa e ekspozuar veten
ndaj rreziqesh fatale, në të cilat madje po kërkonin pretekst për ta hedhur.
Në të vërtetë, këtu bëhej fjalë për një kurth të tillë ku mundësia ishte që secili që do ta fuste këmbën në të, do ta pësonte
si luani, i cili do ta këpuste vetë këmbën për të mos mbetur i zënë në të: - gjykohej fare e pamundur që djaloshi të mundej
të arratisej lehtësisht nga Vjena. Në fakt, sapo arriti atje, Ai qe trajtuar me nderime shumë të mëdha si dhe me kortezi të
zgjedhur, po, në çastin e largimit, i lanë të kuptonte se Atij nuk mund t'i lejohej kthimi në Shqipëri.
Protestat as që pinë ujë fare.
Dhe argumentet ndaj një ndalimi të tillë nuk mungonin: këto përbëheshin nga një masë arbitrare dhe e pasinqertë, sepse, një
mysafir i ardhur në Austri për t'i paraqitur Perandorit urime, po trajtohej si një rob lufte, gjë kjo që nga kohëra që
s'mbaheshin mend fare, ishte në kundërshtim jo vetëm me zakonet ndërkombëtare, po madje nuk pajtohej kurrsesi as dhe me
normat më elementare të shoqërisë njerëzore.
Qeveria e Vjenës nguli këmbë në të vetën.
Iu desh t'i nënshtrohej realitetit dhe të dhe të priste me durimin e një njeriu të fortë, zhvillimin e ngjarjeve.
Por duhet thënë se dy vitet që Ai kaloi në Vjenë, i vlejtën shumë për të ardhmen.
Zogu, i cili, veç Stambollit, nuk kishte njohur botë tjetër, u zhyt në studimin e jetës perëndimore me atë pasionin e atij që
i ka vënë vetes një mision, sa të madh, aq edhe të lartë.
Kështu studioi historinë, e cila edhe sot është për të një pasion i pashterrshëm, mësoi gjermanishten dhe kërkon të njohë
virtutet dhe të metat e jetës perëndimore.
Nga këto konkluzione, siç do të shihet në vendin e duhur, Ai i vuri ato në përdorim në Mbretërinë e tij.
Jo më kot, duke vizituar Muzeumin Perandorak, ai kërkoi dhe pá përkrenaren e Skënderbeut, madje dhe e vuri në kokë. E pastaj
u orvat ta tundte edhe shpatën e tij të madhe!
Në këtë, ai sikur kërkonte një bekim dhe një frymëzim.
Dhe ashtu siç i kërkoi.
Iu dhanë që të dyja.
IV.
Ministri i Brendshëm
Me Mbretin e ardhshëm të shqiptarëve, jam njohur fizikisht në Romë, në një prej hoteleve të mëdhenj të Urbeve.
Ishte viti 1919. Politika italiane e asaj kohe nuk ishte fashiste dhe kundrejt Shqipërisë nuk kishte ndonjëfarë programi të
qartë e të përcaktuar mirë. Gabimi kryesor ishte dyshimi ndaj nacionalistëve shqiptarë të cilëve u jepej përshtypja se Italia
i konsideronte armiq. Më kot isha përpjekur për të nxjerrë në pah se pjesa më e madhe e nacionalistëve shqiptarë kishte pasur
si model për Shqipërinë si vend i lirë e të pavarur, pikërisht modelin italian të luftës për pavarësi.
Zogu, në këtë ambient meditonte, studionte njerëzit dhe gjërat.
Bënte rregullisht vizita, qetësisht, por dhe me pasion në monumentet kryesore romane, por në orët e pushimit, nëse nuk
harrohej në ndonjë argëtim rinor, reflektonte.
Me këtë rast, - kam harruar deri tani që ta bëj të njohur këtë konstatim timin rreth karakterit të tij - Ai meditonte gjatë
dhe në detaje, për diçka të rëndësishme; studionte një plan në të gjitha hallkat, pa shkruar asgjë duke bërë gjithçka vetëm
nëpërmjet kujtesës; ndante veprimin në fazat e tij dhe nuk fliste me njeri, ndërsa atij që tentonte t'ia zbulonte se çfarë
ishte duke menduar, Ai i furnizonte bujarisht gjëra të tjera!
Qoftë si Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Shtypit, qoftë si bashkëpunëtor i ngushtë gjatë Asamblesë Kushtetuese të
1924-1925, e më në fund qoftë si Sekretar i Përgjithshëm në kohën e Republikës, Ai rrallë më ka treguar se ku synonte kur
ishte puna për gjëra që kërkonin një fshehtësi të madhe... gjatë bisedave të Tija me vetveten. Prandaj mendoj sot se, - duke
rishikuar ngjitjen e tij të shpejtë në shkallët e pushtetit, - Ai kishte skicuar ringritjen e Fronit Shqiptar pikërisht më
1920, kur ishte pezulluar nga një Parlament që bënte kontrabandë votash.
U njohëm dhe krijuam një simpati reciproke në Romë, në atë atmosferë madhështie që zbret nga një buzëqeshje hyjnore,
nëpërmjet një dielli të bukur që bën të gëzueshme jetën, drejt monumenteve gjigante artistike të një arti sublim si dhe të
monumenteve perandorakë politikë e ushtarakë që të disiplinojnë edhe gëzimin.
Në atë kohë isha mjaft i trishtuar.
Nuk gjeja qetësi ndaj faktit që Italia, e lindur nga parimi i kombësisë, duhet të dilte në kundërshtim me vetveten. Kisha
frikë se Shqipëria ishte e dënuar që të zhdukej për shkak të një vizioni të gabuar të interesave kombëtare italiane, ose për
shkak të përfitimeve që s'kishin asgjë prej dinjitetit roman, e më në fund, për shkak të llogarive kriminale të disa
grabitqarësh të tokave të të tjerëve, të cilët me sa duket ishin nxitësit e prishjes së moralit ndërkombëtar. Dhe një ditë,
në sallonin e një hoteli, Zogu më fiksoi në sy seriozisht dhe qetësisht - pati një nga ato vështrimet e tij të metaltë, - më
tha me bindje dhe vendosmëri, por me tonin e një njeriu që po të propozon një udhëtim për qejf:
-Pa u dërdhur gjaku rrëke, ne nuk do ta varrosim shqiponjën tonë!...
Admirova me zemër besimin e djaloshit, por nuk formova ndonjë bindje qetësuese, sepse mendoja se nuk ishte e lehtë të
shpëtoje një popull të përçarë e të varfër, i kërcënuar nga njëmijë rreziqe, i mbetur në mëshirën e dikuj që ishte shumë më
agresiv se ai.
Jam i kënaqur të konstatoj se nuk kisha llogaritur disa elementë të paparashikuar, që është rasti të përdorim fjalët e të
tjerëve për t'i përcaktuar: "Njerëz të sajuar nga Providenca Hyjnore".
Prej një njeriu të tillë nuk parashikova shpërthimin e një gjeniu.
Zogu u kthye në atdhe.
Kishte bërë këtë rrugë: Burgajet - Durrës - Vienë - Romë - Burgajet.
Ishte rikthyer me një eksperiencë e bagazh të pasur njohurish serioze e të sistemuara, që ia rrisnin vlerën dhuntive të qarta
natyrore.
Nuk është rasti të analizojmë ngjarjet që krijuan heronj, martirë dhe tradhtarë. Shumë prej personaliteteve me peshë të
tragjedisë së madhe që filloi më 1913 e deri në ditën kur u shpall Legaliteti (më 24 dhjetor 1924) i më të fortëve e më
patriotëve - siç do ta shohim më poshtë - janë të gjallë. Dhe nuk duhet të bëjmë nekrologjinë e të gjallëve, as të bëjmë
katilinarie të panevojshme (kritika therëse - shën. i red.).
Eshtë fakt i qartë që pasioni politik ka bërë që të kryhen shumë gabime.
Le t'i kalojmë.
Po ndalemi në faktin se që nga Kongresi i Lushnjes, i hapur më 21 janar 1920, doli një regjencë e përbërë nga katër patriotë
të padiskutueshëm: Monsinjor Luigj Bumçi, Aqif Elbasani, Abdi Toptani dhe doktor Mihal Turtulli; dhe një ministri që ndjente
që atëherë përplasjet krahinore, por që kishte si shtyllë kurrizore të të gjithë qeverisë, figurën e ministrit të Brendshëm
Ahmet Zogu.
Akti i parë qeveritar i Tij mban datën 31 janar 1920 dhe është një apel drejtuar kombit. Me të jep arsyet që i kishin shtyrë
kongresistët të deklaronin të rënë Qeverinë e Durrësit, dhe i kërkon ndërgjegjes patriotike shqiptare të mbështeste më fort
qeverinë e vendosur në Tiranë, që ishte caktuar si kryeqytet provizor.
Megjithëse kanë kaluar gati 20 vjet që nga ajo kohë, ruhet ende i fortë kujtimi i energjisë së shpërhapur nga Ministri i ri i
Brendshëm dhe kujtimi i taktit të tij politik me të cilin arriti të përballonte intrigat e panumërta politike që
përqendroheshin në Tiranë nga çdo cep e skutë e vendit.
Qeveria e re, megjithëse doli në emër të të gjithë popullit shqiptar, nuk e ushtronte pushtetin e saj përveçse në një zonë të
ngushtë që përfshihej ndërmjet lumejve Mat e Vjosë. Sepse Korça, Pogradeci, Verça e Shkodra ishin në dorë të trupave
franceze, një zonë e vogël në jug ishte nën sundimin e grekëve, zona përgjatë Drinit u ishte dorëzuar serbëve nga gjenerali
francez Franchet d'Espérey, dhe gjithë zona tjetër e mbetur jashtë pushtetit të qeverisë, ishte në dorë të qeverisjes
ushtarake të ushtrisë italiane.
Përreth Zogut ishte një greminë dhe një shkretëtirë parasëgjithash morale.
Shtresat e popullit, nëse do të analizoheshin një për një, ishin përgjithësisht amorfe, dhe konsideroheshin të shëndosha, kur
nuk ngatërroheshin ndërmjet fesë dhe kombësisë. Kështu, shumë muslimanë e mbanin veten për "turq", jo pak ortodoksë
vetëquheshin "grekë" dhe katolikët nxiteshin nga propagandistët të mos besonin në vëllazërinë dhe patriotizmin e
bashkëkombasve të tjerë.
Vijon në numrin e ardhshëm
Përktheu: Beqir Ajazi, Neritan Kolgjini