Sekretari i Ministrisë së Jashtme, rezidencë në Paris me paratë e shtetit
Në kutinë postare të gazetës ditën e djeshme kishte mbërritur një zarf, i cili denonconte abuzimin, të zbuluar nga auditi i brendshëm i kësaj ministrie. Sipas raportit që i bashkëngjitet denoncimit të ardhur, bëhet e ditur se ish-ambasadori, Ferit Hoxha, sot Sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie, ka dorëzuar detyrën në Paris më datë 20.10.2006, por nuk ka dorëzuar apartamentin, i cili paguhet nga shteti shqiptar në shumën 2094.24 euro në muaj, përveç pagesave të tjera, si sigurim banese, internet, telefoni etj. Sipas këtij raporti, rezulton se që nga tetori i vitit 2006 e deri në kohën kur auditi ka kryer kontrollin në ambasadën tonë në Paris, diku rreth muajit nëntor të vitit 2007, banesa nuk ishte liruar, por vazhdonte pagesa e qirasë, megjithëse në të nuk banonte titullari i ri i ambasadës, pasi nuk ishte emëruar akoma. Në fakt, Hoxha, në nëntor 2006, i ka dërguar një letër Drejtorisë së Financave në MPJ, e cila i ka kthyer përgjigje që apartamenti të mbahej për ca kohë, derisa të vinte ambasadori i ri, duke e argumentuar këtë veprim me vështirësinë e gjetjes së apartamenteve në Paris.
Por çka ndodhur më pas. Hoxha vjen sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Tiranë, dhe vetë ai ka qenë në dijeni të problemit. Megjithatë, pagesat kanë vazhduar dhe shtëpia është shfrytëzuar nga e shoqja e tij franceze, me të cilën Hoxha jetonte në Paris. Nga ana e tij, vetë ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, është njoftuar për këto veprime të sekretarit të tij, që më 13 dhjetor të vitit 2007, por nuk është marrë masë. Rasti në fjalë është skandal, jo vetëm se është abuzuar me paratë e taksapaguesve, por edhe po të mendojmë që bëhet fjalë për 2 mijë e ca euro në muaj, që kanë shërbyer vetëm si pagesa në dispozicion të Hoxhës. Në ndonjë vend tjetër në Perëndim, Sekretari i Përgjithshëm i një dikasteri do të shkarkohej dhe për shumë më pak se kaq, si për shembull në rast se do udhëtonte për punë private me paratë e shtetit, ndërsa në Shqipëri, ku lufta ndaj korrupsionit bëhet vetëm me fjalë, lejohet që sekretarët e ministrive të bëjnë dhe jetë aristokratësh, duke mbajtur rezidenca në mes të Parisit me paratë e shtetit.
Punonjësit e MPJ denoncojnë Hoxhën në prokurori
E njëjta letër së bashku me dokumentacionin përkatës i është dërguar dhe Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, të cilët i kërkojnë të fillojnë ndjekjen penale ndaj personave përgjegjës për këtë çështje. Në fakt, një kallëzim i tillë është përgatitur, siç dhe e do ligji, nga auditi, po kurrë nuk ka përfunduar në dyert e prokurorisë. “Zoti Hoxha ka mbajtur rezidencën e ambasadorit për një vit, pasi kishte dorëzuar detyrën, duke e përdorur për shoqen e tij franceze, pra familjen e tij dhe më në fund i ka vjedhur tërë pajisjet e vlefshme. Interneti, telefoni, energjia elektrike, pastrimi e gjithçka tjetër i janë vënë në dispozicion familjes së tij, prej tij, në fillim si ambasador i liruar nga detyra, dhe fill më pas si Sekretar i Përgjithshëm i MPJ, i ngarkuar drejtpërsëdrejti me administrimin e kësaj ministrie dhe ambasadave në varësi të saj. Në detyrën si Sekretar i Përgjithshëm ai i ka vjedhur arkës së ambasadës së Shqipërisë në Paris shumën prej 25 mijë eurosh. Edhe pse për këtë shkelje të rëndë penale, ministri Basha është njoftuar më datë 13 dhjetor 2007, pa e sqaruar atë, ai ka vënë firmën në propozimin për ta bërë z. Hoxha Ambasador të Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju-York dhe ia ka përcjellë kryeministrit. Ky i fundit e ka nisur për te presidenti”, - thuhet në letër.
Pjesë nga raporti
Lidhur me kontratën e qirasë së apartamentit të ish-ambasadorit Ferit Hoxha, rezulton se ish-titullari e ka dorëzuar detyrën dhe është kthyer në atdhe më datë 20.10.2006, ndërsa nuk është prishur kontrata e qirasë së apartamentit, por ka vazhduar të paguhet rregullisht muaj për muaj për rreth një vit në shumën prej 2094,24 eurosh në muaj, përveç pagesave të tjera, siç janë siguracioni i banesës, interneti, telefoni etj. Nga kjo rezulton që nga arka e shtetit të ketë paguar një shumë prej 25000 eurosh, pa e shfrytëzuar realisht atë apartament. Nga ana e ish-ambasadorit Ferit Hoxha i është dërguar një shkresë Drejtorisë së Financës se duke filluar nga data 01.11.2006, apartamenti ku banonte titullari dhe familja e tij do të jetë i pabanuar dhe i kërkon mendimin, nëse ky apartament do të mbahet më tej në pritje të ardhjes së ambasadorit të ri, apo do të parashikohet ndërprerja e kontratës aktuale. Nga ana e saj, Drejtoria e Financës në MPJ shpreh mendimin e mosndërprerjes së kontratës, duke e argumentuar atë me vështirësitë e gjetjes së apartamenteve në Paris. Kontrata e apartamentit ka qenë e firmosur nga qiradhënësi dhe qiramarrësi Ferit Hoxha dhe nga ana e këtij të fundit kontrata nuk është ndërprerë, megjithëse nuk do të banonte më në atë apartament, dhe është mjaftuar duke u bazuar në shkresën e Drejtorisë së Financave në MPJ. Mosveprimi lidhur me ndërprerjen e kontratës ka sjellë si pasojë pagesa të tjera në lidhje me apartamentin të pashfrytëzuara në shumën rreth 25.000 euro, shumë e cila konstatohet të jetë dëm ekonomik. Pas transferimit në atdhe, ish-titullari i ambasadës është emëruar Sekretar i Përgjithshëm në MPJ, duke patur në varësinë e tij direkte Drejtorinë e Financave. Duke pasur parasysh se si ish-titullar ka qenë në dijeni të faktit të moszgjidhjes së kontratës dhe të funksionit që kryen si Sekretar i Përgjithshëm, është konstatuar se nga ana e tij nuk është vepruar në bashkëpunim me strukturat e MPJ apo me ambasadën në Paris për të zgjidhur në mënyrë ligjore kontratën e qirasë dhe për të shmangur pagesat e tepërta të buxhetit të shtetit, ndërkohë që është në dijeni që në atë përfaqësi nuk është emëruar ambasador i ri dhe që në atë përfaqësi vazhdon të paguhet qiraja e apartamentit.