Agron Musaraj rrëzon alibinë e SHIK-ut
Armand Bajrami
Shtatë dëshmitarë, mes të cilëve ish-ministri i brendshëm Agron Musaraj dhe vajza e Ziso Kristopullit dëshmuan dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në gjyqin që po zhvillohet për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Ish-ministri i brendshëm Musaraj, i tha gjykatës se nuk kishte dijeni për rrëmbimin e biznesmenit të zhdukur, porse në vitin 1996 ai ka pritur në zyrë familjarët e Remzi Hoxhës. Ish-zyrtari Musaraj, mohoi të jetë kërcënuar nga tre personat e ndaluar nga Shërbimi Informativ Kombëtar në tetorin e vitit 1995. Shërbimi i fshehtë akuzoi Ziso Kristopullin, Avdyl Loshajn dhe të zhdukurin Remzi Hoxha, veç të tjerave edhe për një plan sulmi ndaj ish-ministrit të brendshëm Musaraj. Në seancën e djeshme ishte e pranishme edhe Alma Kristopulli, vajza e Ziso Kristopullit. Ajo tregoi për takimin me të atin menjëherë pas kthimit të tij nga baza e fshehtë e SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku ishte mbajtur duke u rrahur e marrë në pyetje për disa ditë. Vajza tha se në momentin e takimit me Kristopullin, ka parë tek ai shenja të qarta të keqtrajtimit fizik çka i krijonte vështirësi në të ecur dhe në të folur.
Dëshmia e ish-ministrit
Agron Musaraj tha se kujtonte vetëm takimin me familjarët e Remzi Hoxhës. “Nuk kam dijeni për rrëmbimin, por besoj se thirrja ime këtu ka të bëjë me pritjen që unë i kam bërë familjes së Remzi Hoxhës në zyrën time në vitin 1996 për një ankesë që ata kishin. Kanë ardhur dy familjarë, që mesa kujtoj ka qenë vëllai. Më thanë që policia sekrete ka marrë një vëlla të tyre. Ata kanë ndenjur në zyrën time për një kohë të gjatë, shumë më tepër se sa zgjasnin takimet me qytetarët e tjerë. Unë u kam dhënë urdhër kolegëve të mi të shikojnë nëse ka ndonjë të shoqëruar apo të arrestuar me emrin Remzi Hoxha nga Policia e Shtetit. Pas rreth gjysmë ore kam marrë përgjigjen se nuk ka të ndaluar apo të shoqëruar me një emër të tillë. Kërkova që ata të linin një kontakt në zyrën e shtypit që të informoheshin për çdo gjë”, tha Musaraj. I pyetur nga prokurori për kërcënime me rrezik ndaj tij, ai u përgjigj duke thënë se “këto janë përralla, nuk jam kërcënuar ndonjëherë”.
Vajza e Kristopullit
Alma Kristopulli tha se e ka takuar babain e saj rreth mesnatës në godinën 28-29 në Qytetin Studenti, ku ajo qëndronte bashkë me motrën e saj. “Gjendja e tij fizike ishte e rënduar. Ishte keqtrajtuar aq shumë sa me zor qëndronte në këmbë dhe nuk fliste dot qartë, ishte jashtëzakonisht i tronditur. Gjatë gjithë kohës thoshte ‘pusho, pusho’ pasi kishte frikë mos i kishte ardhur kush nga mbrapa. Na tregoi pjesët e nxira të trupit. Ne nuk kishim marrë vesh asgjë për rrëmbimin e tij. Këmbëngulëm që të rrinte me ne atë natë. Pranoi, por zbriti poshtë dhe ua tha këtë gjë personave që e kishin shoqëruar deri aty. E pamë nga dritarja që ishte një makinë e vogël me një ngjyrë të errët. Na tregoi se kishte qenë një person me emrin Sazan, punonjës i SHIK-ut në Sarandë. Ishte edhe një person tjetër, një gjirokastrit. Këta e kishin detyruar të shkonte me ta nga Saranda në Gjirokastër për një verifikim. Gjatë rrugës i kanë mbuluar kokën. E kishin dërguar në një godinë që më vonë babai e kishte marrë vesh që ndodhej në Vain të Lezhës. Atje e kishin keqtrajtuar. Na tregoi shputat e këmbëve të nxira dhe barkun e nxirë. Pas një diagnostikimi në Sarandë rezultoi se kishte thyer disa brinjë. Më pas, ai shkoi për t’u kuruar në Athinë. Akuzat që i kishin bërë në Lezhë ishin që të gjitha qesharake, si bashkëpunim me agjenci të huaja e gjëra të tjera si këto”, tregoi para gjykatës vajza e të rrëmbyerit, që i mbijetoi ngjarjeve të tetorit 1995.