E Diel, 1 Nëntor 2026

Pinjollët e delegatëve takohen pas 100 vjet pas Kongresit të Manastirit



Petrika GROSI
Më 22 nëntor të vitit 1908 u mbajt në Manastir kongresi që vendosi unifikimin e alfabetit dhe, rrjedhimisht, fatin e gjuhës shqipe. Një ceremoni e veçantë synon të përkujtojë këtë përvjetor të shënuar për të gjithë shqiptarët. Trashëgimtarët e sotëm të delegatëve të shquar të Kongresit të Manastirit do të kryejnë të njëjtën rrugë që kanë bërë të parët e tyre për t’u bashkuar në Manastir. Pra, do të jenë pikërisht pinjollët e shkrimtarëve e publicistëve më të njohur, lëvruesve të gjuhës shqipe, laikëve e klerikëve, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba, veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naçi, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Grigor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim Efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj. Sipas projektit të Elida Jorgonit, një grup nga pinjollët e familjeve të ish-delegatëve të këtij kongresi të madh janë mbledhur për të vendosur në lidhje me kremtimin e kësaj ngjarjeje. Bordi drejtues i përbërë nga pasardhësit e këtyre delegatëve parashikon kremtimin e 100-vjetorit të Kongresit në shtëpitë e Zavalanëve e të Qirjazëve në qytetin Bitola të Maqedonisë, ku u mblodh Kongresi i Manastirit më 1908-n. Gjithashtu, ky grup intelektualësh u bën thirrje strukturave shtetërore që të sensibilizohen për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke festuar me aktivitete madhështore, simpoziume shkencore, etj., siç e meriton përvjetori i 100-të i ditës kur u caktua unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe.

FESTIVALI

Teatri për të Rinj ndan çmimet në Kosovë

Festivali i Teatrit për të Rinj, i zhvilluar kohët e fundit në Vushtri të Kosovës, ka mbyllur ditët e tij me ndarjen e shtatë çmimeve në shtatë kategori të ndryshme. Juria e përbërë nga Qamil Sahiti, Hajdin Islami dhe Agron Hajdari ka vendosur që për skenarin më të mirë të veçojë dramën “Një gram vdekje” të teatrit “Ulpiana” nga Lipjani, kurse për regjinë më të mirë komedinë “Lejti dielli e praroi hana” të teatrit “Osman Gashi” nga Klina. Aktori më i mirë është shpallur Valdet Surdulli, me komedinë “Drejtor apo kryetar”, ndërsa aktorja më e mirë u shpall Egzona Sahiti, për rolin e saj te drama “Një gram vdekje”. Ndërkaq, çmimin e skenografisë e fitoi drama “Kashta e Kumtrit” e Teatrit të Prizrenit.

5 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›