E Diel, 1 Nëntor 2026

Autostrada, Topi e Sejdiu fjalim mbi urën gjigante

 

MIRDITE/ ROLAND NIKOLLI

Autostrada që do të lidhë në kohë rekord Shqipërinë e Kosovën, çoi dje në një prej kantiereve të saj, në Reps, dy krerët e shteteve. Presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, i shoqëruar nga ai i Shqipërisë, Bamir Topi, ka vizituar për herë të parë nga afër pjesët më kyçe të saj. Ata udhëtuan përgjatë aksit të vjetër, duke kundruar që nga Rrësheni pamjet, që ofron natyra e luginës së Fanit të Vogël, prej nga kalon dhe traseja e rrugës tashmë në konfigurim të plotë në shumë pjesë të saj. Drejtuesit e dy shteteve janë pritur në Reps, qendra e Komunës së Oroshit, nga qindra banorë. Më pas, të shoqëruar nga deputetë të Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe drejtues të pushtetit lokal në Mirditë, ata kaluan nëpër tri ura të përfunduara tashmë, duke u ndalur në urën e tretë në vendin e quajtur Shkalla e Repsit, nga ku në afro 1 km trase, radhiten 4 ura gjigante. Pikërisht në urën e tretë në një podium të improvizuar dy presidentët kanë mbajtur fjalën përshëndetëse nën emocionin e punës së bërë nga kompania “Bechtel-Enka” dhe 3700 punonjës, që aktualisht punojnë në segmentin prej 60 kilometra. “Ndihemi të mrekulluar nga ky realitet i ri në këtë luginë panoramike, duke e cilësuar si ndër sukseset më të mëdha të qeverisë shqiptare dhe të së gjithë shqiptarëve. Ai u shpreh se shumë breza kanë menduar për këtë rrugë dhe fati ishte me brezin tonë si këndej dhe nga Kosova. Kemi qenë kaq afër me njëri-tjetrin, por është dashur kjo rrugë që të na afrojë e bashkojë realisht”, u shpreh presidenti Topi. Ai përshëndeti firmën për ritmet e shpejta të punës me të cilën po ndërtohet ky aks dhe e cilësoi si një ndër sukseset më të mëdha të qeverisë shqiptare. Kreu i shtetit shqiptar tha se ndërtimi i kësaj autostrade jo vetëm do të lidhë Shqipërinë dhe Kosovën, por dhe më shumë, do të ndikojë fuqishëm gjithë zhvillimin e kësaj zone, të qyteteve e fshatrave të shumta nga ajo kalon. I entuziazmuar është shprehur në konferencën e përbashkët për shtyp dhe presidenti kosovar Sejdiu, i cili theksoi se realizimi i këtij projekti është realizim i ëndrrës së ish-presidentit të ndjerë Rugova. “Përmes kësaj rruge madhështore gjithë shqiptarët do të jenë më afër, do të jetë afër Kosova me Tiranën, Durrësin, me Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Ritmeve të kësaj rruge do t’u përgjigjet dhe qeveria e Kosovës”, tha Sejdiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›