E Diel, 1 Nëntor 2026

Dalin rezultatet e para në SHBA, Obama kryeson ndaj Mekein

 

Senatori Barak Obama po shkruan një faqe të re në historinë e shtetit më të fuqishëm në botë, duke shkuar drejt presidencës së Shteteve të Bashkuara, si njeriu i parë me ngjyrë që ulet në këtë post prej mbi 300 vitesh demokraci në SHBA. Ashtu siç kishte parashikuar Robert Kenedi, në vitin 1961 në një intervistë për VOA, kur ka qenë ministër i Mbrojtjes, "koncepti i racave në SHBA do të ndryshojë kaq shumë, saqë pas rreth 40 vitesh presidenti i SHBA do të jetë një njeri me ngjyrë". E ndërsa rezultatet zyrtare nuk janë shpallur ende, duket se Obama është në udhën e duhur. I preferuar nga femrat dhe nga të pavarurit, i preferuar nga të rinjtë dhe i preferuar nga shumë amerikanë, që janë të shkatërruar nga kriza ekonomike dhe luftërat në Lindje. Sipas "Newsweek", 111 sondazhe nacionale janë kryer që në mes të shtatorit dhe Xhon Mekein nuk ka udhëhequr në asnjë prej tyre.  Demokrati Barak Obama dhe republikani Xhon Mekein, po përballen ende me verdiktin e votuesve amerikanë për luftën e tyre të gjatë e të mundimshme drejt Shtëpisë së Bardhë deri në rezultatin zyrtar, ku Obama sipas sondazheve të fundit, është më i favorizuari. Rreth 130 milionë amerikanë kanë hedhur votat mbi pasardhësin e presidentit jopopullor, Xhorxh Bush për të vendosur udhën që do të ndjekë vendi gjatë katër viteve të ardhshme. Obama, 47 vjeç, nëse zgjidhet do të ishte presidenti i parë amerikan me ngjyrë. Ndërsa fitorja për senatorin e Arizonës, Xhon Mekein, 72 vjeç do ta bënte atë presidentin më të vjetër, që nis mandatin e parë në Shtëpinë e Bardhë dhe e bën të përzgjedhurën e tij, Sarah Pelin, zëvendëspresidenten e parë amerikane. Obama, i shoqëruar nga gruaja e tij dhe dy vajzat, evituan radhët në qendrën e votimit në Çikago dhe hynë nga një derë anësore. “Votova”, u tha ai reporterëve, pasi kishte qëndruar 15 minuta në qendër dhe menjëherë më pas u drejtua në Indiana për një fjalim të fundit, meqë heshtja elektorale nuk funksionon në SHBA. Ndërsa Xhon Mekein ka votuar në Phoenix, bashkë me gruan e tij, Cindy në një qendër votimi në kishë. Pas votimit ai u nis për në Kolorado dhe Nju Meksiko, dy shtete të forta për të cilat ai ka nevojë t’i japin fitoren. “Askush nuk e di se si do të jetë rezultati”, është shprehur Mekein. Kandidati për zëvendës i Obamës, demokrati Joe Biden, ka ngritur gjithashtu grushtin e OK, pasi ka hedhur votën në Wilmington, Delauer, bashkë me nënën e tij, gruan dhe vajzën. Ai bëri shaka me nënë e tij 91-vjeçare, duke i pëshpëritur “Mos u thuaj se për kë votove”. Ndërsa kandidatja për zëvendëspresidente nga republikanët, Sarah Pelin, ka fluturuar në qytetin e saj, Wasilla, Alaskë për të votuar dhe më pas është bashkuar me Mekein. Sondazhet e fundit të ABCNews/Washington Post kanë treguar 9 pikë diferencë, me Obamën në 53 për qind të mbështetjes kundrejt Mekein me 44. Edhe sondazhet e Karl Rove e shikonin Obamën fitues, duke i kthyer shtetet e rëndësishme si Ohajo, Pensilvania dhe Florida në blu. Harta e fundit elektorale e tij, Rove & Co., i cilëson përzgjedhjet e Kolegjit elektoral me 338 pikë për Obamën dhe 200 për Mekeinin, diferenca më e madhe elektorale që nga viti 1996. Ndërsa rezultatet zyrtare të votimit priten gjatë ditës në vazhdim.

Klintonët votojnë,të bindur në fitoren e Obamës
Ish-presidenti Bill Klinton dhe senatorja Hilari Klinton, pas hedhjes së votës së tyre kanë inkurajuar amerikanët, që të votojnë për Obamën, pasi “ai do mbajë të gjallë ëndrrën amerikane”. “Partia jonë, nesër do zgjohet me një mundësi të madhe, por edhe me përgjegjësi të madhe, një përgjegjësi të thellë, sepse vendi ynë përballet me sfida të vështira ekonomike dhe ne duhet të rikthejmë ndjenjën se ëndrra amerikane është gjallë dhe mirë, se ju do jeni pjesë e klasës së mesme, se njerëzit e varfër mund të kalojnë në klasë të mesme”, tha Bill Klinton. Ndërsa Hilari Klinton, që ishte kandidatja rivale e Obamës, ka shprehur optimizëm mbi reagimin e votuesve ndaj tij. “Jam e kënaqur se si populli ka reaguar ndaj fushatës demokratike, ndaj mesazhit të senatorit Obama, veçanërisht për krizën ekonomike të shtatorit. Votuesit e kanë kuptuar se ne na duhet një president serioz për kohë serioze. Mendoj se Obama ka shfaqur një lidership të vërtetë, të qëndrueshëm, efektiv që mund të përballet me krizën”, tha Hilari Klinton në Nju Jork.

Dita nis keq për Obamën

Dita e votës së madhe ka nisur keq për Obamën. Mbrëmjen e së hënës gjyshja që e kishte rritur, 86-vjeçarja Madelyn Dunham, u nda nga jeta pasi vuante nga sëmundja e kancerit.
“Ajo ishte shtylla e familjes sonë dhe një grua e jashtëzakonshme. Ishte njeriu që na dha kurajë dhe na lejoi, që të kishim një mundësi në jetë”, tha i përlotur senatori i Ilinoisit. Obama ka marrë edhe ngushëllimet e çiftit Mekein. “Ne i ofrojmë ngushëllimet tona më të thella Barak Obamës dhe familjes së tij, ndërsa ata po vuajnë humbjen e gjyshes së tyre të dashur. Mendimet dhe lutjet tona iu drejtohen atyre, ndërsa kujtojnë dhe respektojnë jetën e dikujt që ka pasur një impakt të thellë në jetën e tyre”, u shpreh çifti Mekein. Senatori Obama i falënderoi ata dhe e vlerësoi mesazhin e tyre si shumë të vlefshëm. Por nuk ndalet me kaq. Emocionet e forta të fushatës dhe të votimit kanë bërë, që një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Obamës të humbasë jetën. 44-vjeçari Terens Tolbert, ka pësuar një infarkt në zemër. Ai ishte  bashkëpunëtor i ngushtë i senatorit të Ilinoisit dhe drejtor i kampit elektoral në Nevada. Në Nevada, një shtet mjaft i pasigurt, Obama është në avantazh me mbi 6 për qind ndaj Mekein. Ndërsa për Obamën dita ka nisur e vështirë, për guvernatoren e Alaskës, e cila garon si zëvendëspresidente e republikanëve përkrah Mekein po gëzon një fitore legale, diskutimi i së cilës e ka vënë në situatë shumë të vështirë guvernatoren e shtetit të vogël. Komisioni i Gjykimit të akuzave kundër saj në Alaska, pas disa javësh hetimi, ka dalë në përfundimin se guvernatorja Sarah Pelin nuk ka shkelur asnjë ligj të etikës. Akuzat kundër Pelin u ngritën, ndërkohë që ajo kërkoi shkarkimin nga detyra të ish-kunatit të saj, që punonte si oficer sigurimi, pasi ishte ndarë me të motrën. Ky përfundim i kërkuar me çmos nga republikanët para ditës së zgjedhjeve, është në kundërshtim me një hetim të mëparshëm, në të cilin kandidatja republikane u njoh fajtore. “Nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se guvernatorja apo ndonjë zyrtar tjetër, të ketë shkelur ligjet e etikës së Alaskës në lidhje me këtë çështje”, është shprehur zyrtari përgjegjës për hetimin, Timothy Petumenos. Lajmi ka ardhur një ditë përpara se Pelin dhe Mekein të përballen me votuesit në zgjedhjet presidenciale. Edhe pse ndaj saj u ngritën akuza se kërkonte të hakmerrej ndaj kunatit të saj gjatë periudhës së divorcit me të motrën, Pelin nuk e ndërpreu fushatën. Ndërsa votoi në Alaska, Pelin tha se “këtu në Alaska, ku ne kemi pastruar korrupsionin, kemi qenë të aftë në të vërtetë që ta kthejmë qeverinë nga populli”, tha Pelin pas votimit. “Shpresoj, lutem dhe besoj se do të jem e aftë ta bëj këtë edhe si zëvendëspresidente për të gjithë në SHBA”, shtoi ajo. Pelin ishte një kandidaturë krejt e paparashikuar e senatorit Mekein, i cili konkurron me Obamën për presidencën e 44-t të Shteteve të Bashkuara.

Pjesëmarrje rekord, radhë në 4 të mëngjesit
Këtë vit në SHBA është shënuar një pjesëmarrje rekord në zgjedhjet presidenciale, që ka shtyrë edhe në formimin e radhëve të gjata. Por nuk ka qenë kjo arsyeja e vetme. Edhe mosfunksionimi i mirë i disa makinerive të votimit ka bërë që njerëzit të presin në radhë. Votuesit janë grumbulluar në qendrat e votimit ende pa lindur dielli në disa shtete lindore, për të evituar radhët. Në Nju Jork, pjesëmarrja e votimit ka qenë më e larta në histori. Sipas një zëdhënëseje të Bordit të zgjedhjeve, Valeria Vazquez Rivera, radhët kanë nisur të krijohen që në orën 4 të mëngjesit.

Mekein çon në gjyq Nju Hempshajër
Gjatë ditës së votimit shteti i vogël i Nju Hempshajërit ka deklaruar fitoren e kandidatit demokrat Barak Obama. Xhon Mekeinit nuk i ka ardhur aspak mirë për deklaratën paraprake të zyrtarëve të këtij shteti dhe ka vendosur të hedhë shtetin në gjyq. Lajmin e ka konfirmuar stafi elektoral i kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë, i cili ka kontestuar hyrjen në vota. Ndërsa në Virxhinia, që është një përqendrim i fortë i bazave ushtarake, fushata e Mekein i ka kërkuar Gjykatës Federale një kohëzgjatje prej dhjetë ditësh nga skadenca e votimit për ushtarakët që shërbejnë jashtë vendit.

Zgjedhjet, rritet shpresa dhe kuotat e bursave
Zgjedhjet në SHBA kanë bërë që aksionet të rriten në Wall Street, në pritje të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, të cilat pritet të ndryshojnë politikën ekonomike. Bursa Dow Jones ka shënuar rritje prej më shumë se 300 pikësh dhe indekset e tjera të mëdha janë rritur prej më shumë se 3 për qind. Në Evropë aksionet janë rritur rreth katër për qind. Analistët thonë se rezultatet e zgjedhjeve të SHBA-së mund të sjellin një qetësi në tregjet globale, pas krizës së madhe, që pësuan në muajin tetor. Investitorët besojnë se nga rezultati i votimit tregjet do të marrin sinjale siguruese mbi ruajtjen e sistemit financiar dhe konjukturën ekonomike.

BE, letër për presidentin e ardhshëm të SHBA-së
“Bashkimi Evropian ka përgatitur një letër për presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, me të cilën kërkohet pjesëmarrje e Unionit në zgjidhjen e disa problemeve botërore”, deklaroi ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner. Dokumenti do të bëhet publik, pasi të mësohet emri i presidentit të ri amerikan, ndërsa Kushner ka thënë se Brukseli shpreson të kultivojë raporte të afërta me administratën e re në Uashington. “Ekziston nevoja për hapjen e një kapitulli të ri në harmoninë dhe baraspeshën botërore”,  tha Kushner.

Parashikimet e fundit

Obama                     Mekein
 (në %)                     (në %)

Alabama - 9 delegatë
33.5                     56.8

Alaska - 3 delegatë
40.7                      56

Arizona - 10 delegatë
45.8                    49.3

Arkansas - 6 delegatë
43.0                    52.3

California - 55 delegatë
58.7                     34.3

Colorado - 9 delegatë
50.8                     45.3

Connecticut - 7 delegatë
55.3                     36

Delaware - 3 delegatë
58.3                     37.3

D.Columbia - 3 delegatë
e pavendosur

Florida 27 delegatë
49                    47.2

Georgia 15 delegatë
45.8                    49.8

Hawaii 4 delegatë
e pavendosur

Idaho 4 delegatë
e pavendosur

Illinois 21 delegatë
59                     34.3

Indiana 11 delegatë
46.4                     47.8

Iowa 7 delegatë
54                     38.7

Kansas 6 delegatë
40.7                     52.7

Kentucky 8 delegatë
41                     54,5

Louisiana 9 delegatë
38.7                    54.3

Maine 4 delegatë
54.4                     38.8

Maryland 10 delegatë
e pavendosur

Massachusetts 12 delegatë
57                     35.7

Michigan 17 delegatë
52.5                     39

Minnesota 10 delegatë
51.6                     41.8

Mississippi  6 delegatë
39.3                     50.7

Missouri 11 delegatë
e pavendosur

Montana 3 delegatë
45                     48.8

Nebraska  5 delegatë
35.3                     54

Nevada 5 delegatë
50                     43.2

New Hampshire  4 delegatë
52.8                     42.2

New Jersey  15 delegatë
54.5                     39

New Mexico  5 delegatë
50.3                     43

New York  31 delegatë
62                     32.3

North Carolina  15 delegatë
48.0                     48.4

North Dakota  3 delegatë
43.7                     47.7

Ohio  20 delegatë
48.8                     46.3

Oklahoma  7 delegatë
30.3                     59.3

Oregon  7 delegatë
55.3                     39.7

Pennsylvania 21 delegatë
51                     43.7

Rhode Island 4 delegatë
54                     31,3

South Carolina 8 delegatë
43.0                     53.0  

South Dakota 3 delegatë
e pavendosur

Tennessee 11 delegatë
38.8                     52.8   

Texas 34 delegatë
40.5                     53.5

Utah 5 delegatë
26.3                     62.7

Vermont 3 delegatë
e pavendosur

Virginia 13 delegatë
50.2                     45.8

Washington 11 delegatë
53.7                      40.7

West Virginia 5 delegatë
42.4                     51.4

Wisconsin 10 delegatë
52.8                     41.8

Wyoming 3 delegatë
37                     58

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›