E Diel, 1 Nëntor 2026

Zona muzeale kundër taksës së ndriçimit

 

GJIROKASTER - Bizneset në pjesën muzeale të Gjirokastrës rebelohen ndaj bashkisë. Shkak është bërë ngritja e taksës së ndriçimit në masën 50% për ta, në një kohë kur veprimtaria e tyre është më pak e frekuentueshme nga konsumatorët, në raport me pjesën tjetër të qytetit. Një ditë pas aprovimit të rritjes së taksës së energjisë për të gjitha subjektet tregtare në qytet nga ana e Këshillit Bashkiak, kanë ardhur edhe reagimet e para prej tregtarëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në pjesën muzeale. Për tregtarin Dhosi Margariti, ngritja e taksës së ndriçimit në masën 50%, është një tjetër rëndesë për buxhetin e varfër të tregtarëve, që qëndrojnë me halle në pjesën muzeale të qytetit. Përveç problemeve që kemi me gjetjen e tregut për konsumatorët, taksave mujore dhe ato vjetore, u desh dhe ngritja e taksës së ndriçimit, paçka se ndriçimi herë është e herë nuk është. Për Bashkinë e Gjirokastrës, rritja e taksës së energjisë elektrike është një lëvizje, që justifikon ngritjen e çmimit të energjisë prej disa vitesh dhe që pritet të rritet ende me privatizimin e sektorit të shpërndarjes në fillim të vitit të ri. Tregtarët nga ana e tyre, kanë akuzuar Bashkinë e Gjirokastrës se nuk kanë pasur akses nga ajo për uljen e diferencuar të taksave, ashtu siç ishte premtuar më parë për këtë kategori tregtarësh, që ndodhen në zonën e Pazarit Karakteristik. Në pjesën karakteristike të Gjirokastrës ushtrojnë veprimtari tregtare rreth 50 biznese të vogla, kryesisht shitore të mallrave ushqimore, artistike, lokale si dhe qendra të informimit turistik.        p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›