E Diel, 1 Nëntor 2026

Agustin Kola, trajner i ri i Tiranës: Nuk do të zhgënjej askënd!

I ka qëndruar besnik idesë së tij presidenti Refik Halili. Pasuesin e boshnjako-kroatit Blazhe Slishkovic, që u dorëhoq para dy ditësh, në krye të Tiranës, e ka përzgjedhur nga “gjaku bardheblu”. Madje, është një ikonë e kësaj familjeje, që ka luajtur dhe drejtuar këtë klub. Fjala është për Agustin Kolën, ish-sulmuesin e shquar të Tiranës dhe të ekipit kombëtar, bashkëkohësin dhe partnerin e të ndjerit Arben Minga, që përbënin dyshen më të frikshme sulmuese për kundërshtarët në vitet 80-90. Konfirmimin zyrtar të Agustin Kolës në krye të bardhebluve e ka bërë vetë kryedonatori Refik Halili, sipas të cilit, ishte zgjidhja më e mirë në situatën ku gjendet Tirana. Në fakt, Kola ka qenë edhe më parë në stafin drejtues të 23 herë kampionëve të Shqipërisë, në vitin 2006, por në rolin e zëvendëstrajnerit të Mirel Josës. Pikërisht më 12 nëntor të vitit 2006, të dy do të jepnin dorëheqjen nga drejtimi i bardhebluve, për t’u kthyer sërish aty (Kola) pas dy vitesh, në dhjetor 2008. Tashmë, ai e merr “timonin” e drejtimit të Tiranës në një moment delikat, por që gjithsesi jo pa rrugëdalje. Përderisa në gjirin e kësaj skuadre janë lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar, më të paguarit dhe nuk ka probleme financiare, kthesa e Tiranës pritet të ndodhë qysh këtë fundjavë, në ndeshjen me Apoloninë. Të paktën këtë ka premtuar trajneri i ri dhe presidenti Halili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›