E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahengjet e rrezikshme

Katër persona janë plagosur gjatë kësaj vere si pasojë e gjuajtjeve me armë në ahengje, kryesisht dasma. Policia e Kosovës, gjatë muajit qershor, korrik dhe deri me 10 gusht të këtij viti, ka evidentuar 83 raste të gjuajtjeve me armë në ahengje të ndryshme. Në këto raste janë konfiskuar mbi 60 armë e janë arrestuar shumë të dyshuar.

Kapiten Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka deklaruar për revisten “IP Magazinë”  se, vetëm gjatë muajve qershor, korrik dhe deri me datën 10 gusht të këtij viti, janë evidentuar në Policinë e Kosovës, gjithsej 83 raste të gjuajtjeve me armë zjarri në ahengje të ndryshme. 

“Në të gjitha këto raste janë konfiskuar 62 armë të kalibrave të ndryshme dhe mbi 100 copë fishekë”, ka thënë Sadriu.
Numri më i madh i këtyre rasteve është proceduar në prokurorinë përkatëse me kryes të njohur.

Bastisen dasmat

Sipas kapitenit, në këtë periudhë kohore janë realizuar 37 bastisje në lokacione të ndryshme, ku ka pas informacion për veprime të tilla dhe nga gjuajtjet me armë zjarri gjatë kësaj periudhe kohore janë katër persona të lënduar.

Gjuajtja me armë zjarri nëpër dasma e ahengje ka qenë traditë e vjetër e shqiptarëve, e cila jo gjithmonë ka përfunduar me gëzim. Ka pasur shumë raste kur nga konsumimi i madh i alkoolit, gjuajtjet me armë ia kanë ndërruar kahen gëzimit, duke e rikthyer në tragjedi.

Sikurse vitet e kaluara, edhe këtë vit policia me njësitet e saja përkatëse është duke vazhduar me fushatë vetëdijesuese duke e marrë parasysh edhe aktivitetet policore në terren për parandalimin e aktiviteteve të tilla.

“Nëse qytetarët nuk kursehen nga veprimet e tilla të kundërligjshme, policia konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që të fillojë kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndalojë kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet”, deklarojnë në polici.

“Vlen të theksohet se bashkëpunimi me qytetarët është në nivel të duhur dhe kjo e ndihmon në masë të madhe Policinë e Kosovës në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie”, ka thënë Sadriu.

Gjuajtjet e dënueshme

Neni 374 për mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve i Kodit Penal të Kosovës thotë se, kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. Nëse vepra penale përfshin më shumë se katër armë ose më shumë se katërqind fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy deri në dhjetë vjet. Në ketë nen thuhet se, arma në pronësi, kontroll apo posedim në shkelje të këtij neni konfiskohet.

Ndërsa në nenin 375, që flet për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm thuhet se, kushdo që përdorë armë apo materie plasëse në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët apo materiet plasëse të tilla, dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. Kurse, kushdo që përdor armën apo mjetin e rrezikshëm në mënyrë kërcënuese ose frikësuese, dënohet me gjobë deri në dhjetëmijë 10.000 euro dhe me burgim prej një deri në dhjetë vjet./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›