E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohet interesimi për studime në lëmin e bujqësisë dhe veterinarisë

Në vitin akademik 2013/2014, është shtuar qind për qind interesimi i studentëve për studime në lëmin e bujqësisë dhe veterinarisë. Zyrtarë të Fakultetit të Bujqësisë theksojnë se vetëm gjatë këtij viti, në programe të ndryshme të bujqësisë kanë aplikuar 353 studentë të rinj. Studentët ndërkaq theksojnë se me studime në bujqësi, arrihet më lehtë deri te vetëpunësimi.

Shpresa se pas studimeve në lëmin e bujqësisë, punësimi do të jetë më i lehtë, e ka shtyrë Leonita Canollin që sivjet ajo të zgjedhë pikërisht bujqësinë për të studiuar. Sipas saj, bujqësia mund të jetë e vetmja rrugë që një i ri mund të vetëpunësohet.

“Dihet mirëfilli që bujqësia është segmenti i vetëm që mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit. Sot kemi shumë të rinj që i kanë përfunduar studimet juridike apo ekonomike dhe një pjesë e madhe e tyre janë të papunë. Ndërkohë, bujqësinë unë e shoh si sektorin që shumë më lehtë një i ri mund të punësohet se sa në drejtime të ndryshme”, tha ajo, transmeton RTK.

Interesimin e madh për të studiuar bujqësinë e konfirmon edhe Bedri Dragusha - dekan i Fakultetit të Bujqësisë të UP-së. Ai thekson se faktorin kryesor që i ka nxit të rinjtë për të studiuar bujqësinë, është se me këtë fushë, ata konsiderojnë se arrijnë më shpejt tek sigurimi i një vendi të punës.

“Arsyet janë të shumta, por mes tjerash vetëdijesimi i popullatës, posaçërisht i maturantëve, se bujqësia është një degë mjaftë fitimprurëse e ekonomisë së një shteti. Pastaj, interes tjetër është edhe punësimi shumë i lehtë pas përfundimit të studimeve në bujqësi, krahasuar me të gjitha degët e tjera”, tha ai.

Sipas Dragushës, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, sivjet është interesimi më i madh për të studiuar bujqësinë.

“Krahasuar vetëm me vitin e kaluar, sivjet janë paraqitur 100 për qind më shumë studentë, gjegjësisht maturant për të studiuar në fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Pra, numri i përgjithshëm i studentëve që kanë aplikuar në fakultet, është mbi 353 gjë që nuk ka ndodhur sidomos në vitet e pasluftës”, tha Dragusha.

Por, cili mund te jetë kontributi i një femre në lëmin e bujqësisë? Leonita Canolli jep përgjigje duke thënë se edhe fermat në këtë sektor, mund të jenë shumë të suksesshme.

“Unë mendoj se edhe femrat mund t`ia dalin për të studiuar por edhe për të punuar në bujqësi. Bujqësia është një profesion shumë atraktiv dhe një femër mund të jetë menaxhere shumë e suksesshme në ndonjë sektor të bujqësisë”, tha ajo.

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, ka gjithsej 5 programe të studimit dhe se ne dy prej tyre tashmë është mbushur numri që në afatin e parë. Ndërkohë, interesim për regjistrim kanë shprehur edhe studentë nga Lugina e Preshevës, Maqedonia dhe Mali i Zi. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›