E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmadinexhad betohet, moderatorët e bojkotojnë

Mahmud Ahmadinexhad
është betuar si Presidenti
i ardhshëm i Iranit
në një ceremoni që u bojkotua
nga liderët reformistë të vendit
dhe që paralelisht në rrugë u
kundërshtua nga protestuesit.
53-vjeçari është betuar thuajse
8 javë pas zgjedhjeve presidenciale,
të cilat shkaktuan edhe
trazirat më të mëdha në vend që
pas kohëve të revolucionit të vitit
1979. Ahmadinexhad deklaroi se
Irani donte një bashkekzistencë
paqësore me botën, por nuk
do të toleronte asnjë fuqi që ta
nëpërkëmbte. Ceremonia është
bojkotuar edhe nga ish-presidentët
e vendit, që aktualisht
janë me grupin e të moderuarve
dhe që mbështetën në këtë garë
të fundit presidenciale opozitarin
Moussavi. Ndërkohë, jashtë
në sheshet kryesore të Teheranit
policia ka qenë në gjendje
gatishmërie. Sipas dëshmitarëve,
mijëra mbështetës të kandidatit
opozitar u mblodhën në afërsi
të godinës së Parlamentit dhe
sipas disave prej tyre ata janë
rrahur dhe keqtrajtuar. Ata gjatë
gjithë kohës kanë hedhur parulla
mbështetëse për Moussavi-n.
Policia ka arrestuar rreth 10
persona. Presidenti Obama dhe
liderët e Francës, Britanisë së
Madhe, Italisë dhe Gjermanisë
kanë vendosur që të mos e urojnë
Ahmadinexhadin për rimarrjen e
postit, edhe pse Shtëpia e Bardhë
e ka njohur atë si "liderin e zgjedhur
të Iranit". Amerikanët kanë
bërë të ditur se do të vazhdojnë
që të kërkojnë bisedime me
Iranin për çështjen e ambicies
së tij bërthamore. Britania e
Madhe është shprehur e shqetësuar
në lidhje me situatën e të
drejtave të njeriut në Iran pas
zgjedhjeve presidenciale. Ndaj
reagimit të ftohtë të vendeve
perëndimore për zgjedhjen e
tij, Ahmadinexhad tha se ai nuk
ishte në pritje të mesazheve të
liderëve të ndryshëm për të filluar
nga puna. Tani ai ka dy javë
në dispozicion për të paraqitur
qeverinë e re për aprovim, por
mund ta ketë të vështirë, për
shkak të armiqve të tij të moderuar
dhe konservatorëve që
dominojnë asamblenë. Moussavi
dhe kleriku reformator
Mehdi Karoubi, thonë se qeveria
e ardhshme do të jetë një qeveri
e paligjshme. Por duket se Ahmadinexhad
ka mbështetjen e
veçantë dhe të pakursyer të liderit
suprem të vendit, i cili e ka quajtur
Presidentin si "kurajoz, punëtor
dhe të mençur". Për sa i përket
Iranit, ai akuzon Perëndimin,
veçanërisht Shtetet e Bashkuara
të Amerikës dhe Britaninë, për
mbështetje të situatës së turbullt
në Iran, me objektiv rrëzimin e
qeverisë dhe pushtetit aktual.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›