Parakaloi laçianët, i turren nga pas me armë në dorë
Një parakalim me makinë ka mjaftuar që tre të rinj të qëllojnë me armë ndaj drejtuesit të mjetit, por fatmirësisht pa i shkaktuar plagë atij. Ngjarja ka ndodhur të martën, rreth orës 18:45, në Fushë-Milot, ndërsa autorët e sulmit me armë, Erjon Rama, Egert Hyska dhe Andi Bilali janë arrestuar dje në mëngjes nga forcat e Policisë së Kurbinit. Tre të rinjtë udhëtonin me një makinë tip "Ford" me targa të huaja, ku janë parakaluar nga një makinë tjetër që drejtohej nga 42-vjeçari me inicialet S.H. Të irrituar nga veprimi, ata kanë ndjekur makinën që i parakaloi duke qëlluar në drejtim të saj me armë. Më pas, në ndihmë të tyre ka shkuar edhe Bardhok Tuci, i cili, në tentativë për t‘u afruar me mjetin e 42-vjeçarit ka pësuar aksident, duke mbetur i plagosur. Menjëherë më pas policia ka nisur hetimet, duke bërë arrestimin e autorëve të ngjarjes.