Fushë-Krujë, sulmohet me armë fabrika e çimentos
Dëmtohet me breshëri automatiku një nga mjetet teknologjike të gurores në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Dje, rreth orës 15:30, policia u njoftua se në guroren e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë nga persona ende të paidentifikuar është dëmtuar me armë zjarri automjeti tip kamion, EUKLID 260, pa targa, makinë teknologjike për punime në karriera. Mjeti është në pronësi të firmës XHULIO sh.p.k, me pronar shtetasin Ardian Gjura, 44 vjeç nga Fushë-Kruja. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një copë gëzhoje model 56 e kalibrit 7.62 mm. Përveç dëmtimit të kamionit nuk ka pasur dëme të tjera, ndërsa nisën hetimet për veprat penale të "shkatërrimit të pronës" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake". Dyshohet se dëmi është bërë nga konkurrenca ose nga banorët e zonës përreth, të cilët prej vitesh protestojnë ndaj veprimtarisë ndotëse të fabrikës në jetën e tyre.