Meidani: Jam pro hapjes së kutive, por kundër grevës

Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, shprehet se greva e urisë është e tepërt dhe me pasoja
TIRANË - Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, mbështet kërkesën e opozitës për transparencë dhe hapjen e kutive të votimit, por nuk është dakord me grevën e urisë. Gjatë një ligjërate të mbajtur në Prishtinë përpara studentëve të një universiteti privat, Meidani ka deklaruar se greva e urisë është tepërt.
"Për rastin konkret mendoj se është më shumë sesa nevoja që ky proces transparence të gjente përgjigjen e duhur qoftë përmes dinamikës, qoftë përmes ndërhyrjes së institucioneve të tjera apo rritjes së ndjeshmërisë qytetare.
Këto elemente janë realizuar përgjithësisht. Ky element i fundit në mendimin tim është i tepërt dhe mund të sjellë shqetësime relativisht serioze për zhvillimet demokratike dhe për stabilitetin politik dhe ekonomik në Shqipëri", - tha ai. Në të njëjtën kohë, ish-Presidenti Meidani nuk mbështet qëndrimin që po mban PD-ja ndaj kërkesës së opozitës për transparencë. "Në gjykimin tim është spekuluar me terma kushtetuese.
Kushtetuta si parim kryesor ka transparencën dhe kjo është parimi që duhet të dominojë në vendimmarrjen politike", - tha Meidani. Ai rikujtoi se së bashku me ish-Presidentin Alfred Moisiu, është deklaruar që në fillim në favor të hapjes së kutive të votimit dhe transparencës së procesit zgjedhor.
Në një intervistë të dhënë pak kohë më parë, ish-Presidenti Rexhep Meidani është shprehur solidar nga ana humane me grevistët, por ka shtuar se në të gjithë kohërat ka qenë dhe mbetet kundër grevës së urisë që, në çdo rast, sipas tij, i zgjatur në kohë, mund të shoqërohet me dëmtime shëndetësore, pse jo dhe më shumë se aq.