Rama nis punën si kryeministër, takon Nishanin dhe Llallën
Kreu i PS zhvilloi dje një takim me Presidentin dhe Prokurorin e Përgjithshëm
Edi Rama ka nisur dje takimet e para si kryeministri i ri i vendit. Fillimisht ai ka takuar Presidentin Bujar Nishani, dhe mw pas Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Takimi me Presidentin
Paraditen e djeshme, kreu i PS-së i është drejtuar Presidencës ku përreth 40 minuta zhvilloi një takim me Presidentin, Bujar Nishani. Në fokus të këtij takimi ishte bashkëpunimi institucional mes ekzekutivit dhe Presidentit, gjatë katër viteve të ardhshme. Pas përfundimit të takimit, Rama nuk ka pranuar ta komentojë atë ndërkohë që është mjaftuar me një postim në rrjetin social Twitter. Me Presidentin e Republikës për tematiken e bashkëpunimit institucional e të tranzicionit të pushtetit pa probleme të reja. Takim pozitiv, shkruan Rama. Ndërkohë sipas njoftimit të presidencës, bëhet e ditur se Presidenti Nishani uroi kryesocialistin Rama për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit si dhe i uroi atij suksese në realizimin e premtimeve të bëra. Presidenti Nishani dhe kryesocialisti Rama shkëmbyen mendime për një tranzicion të butë të pushteteve dhe për një bashkëpunim të frytshëm institucional, në interes të forcimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor, thuhet në njoftimin e Presidencës. Ky ishte takimi i parë që Rama zhvilloi me presidentin Nishani, pas zgjedhjeve të 23 qershorit.Mësohet se Partia Socialiste ka kërkuar që ky takim të ishte i hapur dhe të zhvillohej në praninë e medias, por duket se kjo kërkesë është refuzuar nga Presidenca.
Takimi me Kryeprokurorin
Ndërkohë po dje, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi edhe me kryeprokurorin Adriatik Llalla. Në përfundim të takim, kreu i PS bëri të ditur në rrjetin social Twitter temën e bisedës me kryeprokurorin Llalla. Me Prokurorin e Përgjithshëm për tematikën e bashkëpunimit institucional dhe influencën e krimit mbi vendin. Takim pozitiv, shkruan Rama. Ky është takimi i parë mes Ramës dhe kryeprokurorit, pas zgjedhjeve të 23 qershorit.