E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti: Fitorja më e madhe, zgjedhjet demokratike

Shkup- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thotë se partia e tij në zgjedhjet lokale në Maqedoni, në mesin e partive politike shqiptare, ka dalë fitimtare. Në një intervistë dhënë BBC-së, Ahmeti ka thënë se humbja e partisë së tij në Tetovë dhe në Gostivar, paraqet një sfidë për këtë forcë. “Fitore më e madhe në këto zgjedhje është që kemi patur një proces zgjedhor jashtëzakonisht të rregullt demokratik. Mundësia u është krijuar të gjithë njerëzve të cilët kanë qenë në garë, të zhvillojnë një fushatë të qetë, të fitojnë aq sa kanë punuar. Kjo është krenaria e Bashkimit Demokratik për Integrim, se edhe njëherë po e dëshmon, se duke qenë pjesë e Qeverisë organizon procese të rregullta zgjedhore, pa ushtrim të dhunës, pa presione, pa terror psikologjik dhe u jep hapësirë, mundësi, të gjithë njerëzve që t'i provojnë forcat e tyre në garë”-theksoi Ahmeti.

Për zgjedhjes së presidentit të ri Gjorge Ivanov, i cili ka marrë shumë pak vota nga shqiptarët, Ahmeti tha se me rëndësi është se ne nuk ka krizë institucionale.“E rëndësishme është se ne nuk hymë në krizë institucionale, sepse kriza institucionale do të kishte një kosto më të lartë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe është shumë me rëndësi që Maqedonia fitoi presidentin i cili duhet të angazhohet për zgjidhjen e shumë temave të rëndësishme duke filluar që nga kontestet e ndryshme, siç është kontesti me Greqinë, po edhe përshpejtimi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën si dhe përshpejtimi i rrugës drejtë anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE. Këto janë çështje me të cilat ne në të ardhmen, apo gjatë ditëve të ardhshme, do të ballafaqohemi dhe duhet të kemi një qasje të përbashkët, se si t'i përshpejtojmë hapat drejt arritjes së këtyre qëllimeve”-vijoi Ahmeti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›