E Diel, 1 Nëntor 2026

Piratët somalezë vazhdojnë rrëmbimet e anijeve

Mogadisho - Piratët somalezë kanë rrëmbyer sërish një rimorkiator italian dhe dy anije egjiptiane në ujërat pranë një fshati peshkatarësh në veri të vendit. Forcat speciale franceze dhe ato amerikane kanë ndërhyrë ditët e fundit kundër këtyre piratëve, por kjo ndërhyrje rrit frikën e gjakderdhjeve në brigjet somaleze.

"Piratët e dinë se Somalia dhe Italia kanë marrëdhënie të mira, -deklaroi Andrew Mwangura, pjesëtar i Programit për Asistencë të Detarëve në Afrikën lindore. -Dje morëm informacione se ekuipazhi italian është shëndosh e mirë".

"Piratët mbajnë peng 16 anëtarë të ekuipazhit të rimorkiatorit dhe 24 të tjerë të dy anijeve egjiptiane", deklaroi komandanti somalez, Muhamed Salah Dubeys.

Rimorkiatori, në bordin e të cilit ishin 10 italianë, 5 rumunë dhe një kroat, u rrëmbye në fundjavë në ujërat somaleze. Anije të flotave të huaja ushtarake po patrullojnë vijën bregdetare të Somalisë për të luftuar kundër piraterisë detare që përbën një kërcënim serioz ndaj linjave të rëndësishme të transportit detar në Gjirin e Adenit dhe në Oqeanin Indian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›