Ahmeti: Jo emër sllav për Maqedoninë
Kryetari i Partisë shqiptare të Maqedonisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka deklaruar se shqiptarët përjashtojnë mundësinë që Maqedonia të marrë ndonjë emërtim që do të ishte në kundërshtim të qëndrimit të shqiptarëve. "Për ne do të ishte e papranueshme që për shembull të quhet Republika Sllave e Maqedonisë ose Republika Kombëtare e Maqedonisë", ka theksuar kreu i BDI-së Ahmeti në një intervistë për të përditshmen kosovare "Express". Ahmeti ka nënvizuar se ka pasur propozime të ndryshme siç ishte Maqedonia e Veriut apo Republika e Maqedonisë - Shkupi. "Shqiptarët janë ftuar për të qenë pjesë e debatit disa herë nga lidershipi maqedonas. Iu takon vetë qytetarëve të Maqedonisë të merren me debatin e tyre të brendshëm, nëse kanë prejardhje nga maqedonasit antikë, apo kanë origjinë sllave", është shprehur Ahmeti. Ahmeti ka shtuar se të gjitha partitë politike shqiptare në vend do të pranonin një zgjidhje të pranueshme nga bashkëqytetarët maqedonas, me shtetin fqinj, Greqinë. Të enjten, nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara fillon raundi i ri i negociatave mes Athinës dhe Shkupit për cështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë.