E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak,nga shpërthimi vdesin 16 persona

Të paktën 16 persona kanë vdekur dhe 45 të tjerë janë plagosur të mërkurën, kur dy makina bomba shpërthyen pranë një stacioni autobuzi në jugperëndim të kryeqytetit irakian Bagdad. Shpërthimet e koordinuara ndodhen në lagjen Bajaa, kur qindra besimtarë shiitë ishin drejtuar për në qytetin e shenjtë për pelegrinazhin e përvitshëm të Arbainit. "Dy makina bomba shpërthyen, njëra pranë një tregu dhe tjetra në një stacion autobuzi. Shumë njerëz u vranë", dëshmoi një banor i lagjes. Sulmi ishte më i madhi i këtyre javëve të fundit në Bagdad. Dhuna që shpërtheu në Irak pas pushtimit amerikan në vitin 2003, ra goxha vitin e kaluar, por sulmet vetëvrasëse dhe ato me makina bomba, ende janë të shpeshta. Qindra mijëra pelegrinë kishin udhëtuar më këmbë dhe me autobus për pelegrinazhin e shenjtë në qytetin e Kerbelasë në jug të Bagdadit. Pelegrinët shiitë ishin në qendër edhe të disa sulmeve të tjera gjatë ditës së mërkurë, përfshirë këtu atë të shpërthimit të një bombe në Uaziria, në veri të Bagdadit, ku u vra një person dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Ndërsa nga një sulm tjetër, gjashtë civilë u plagosën në një minibus. Arbaini, që shënon fundin e periudhës së zisë, në përvjetorin e vdekjes së nipit të Profetit Muhamed, Hysein, në një betejë të shekullit të shtatë, është një nga ditët më të shenjta të kalendarit shiit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›