E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ahmeti: Kosova, e linjëzuar me vlerat dhe parimet e institucioneve evropiane

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Kreshnik Ahmeti, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës tha sot se integrimi i Kosovës në BE, po zhvillohet nga një kontradiktë që nuk është e zakonshme, që është ajo e qartësisë dhe paqartësisë.

Nga punimet e konferencës “Diplo 2025”, Ahmeti u shpreh se Kosova është e linjëzuar me vlerat, parimet, masat dhe veprimet e institucioneve evropiane.

“Ne shohim edhe një paqartësi, jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin në përgjithësi. Ne kemi situatën pak më të komplikuar, pasi ende nuk jemi pjesë e Këshillit të Evropës dhe ky është një parakusht për t’u bërë pjesë e BE-së. Nga këto dy fushëbeteja, në Këshillin e Evropës kemi pasur një zhvillim të suksesshëm në dy vite, ku kemi kaluar të gjitha analizat, raportimet nga instancat e Evropës”, tha Ahmeti.

Sipas tij, juristët thonë që legjislacioni i Republikës së Kosovës është në standardet e Këshillit të Evropës, madje te çështja e minoriteteve, shkon mbi standardet ndërkombëtare.

“Në Asamblenë Kombëtare morëm një mbështetje të madhe prej 82% vota në favor. U vërtetua se Kosova meriton të jetë vend anëtar i Këshillit të Evropës. Dy javë para ministerialit na u vendos një kusht jozyrtar, që do ta cenonte situatën e stabilitetit në Kosovë, por do të shkatërronte edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”, vijoi ai.

Ahmeti u ndal edhe tek lufta Rusi-Ukrainë, duke e cilësuar këtë jo thjesht si një agresion të një shteti ndaj një shteti tjetër, por edhe si një qasje ideologjike.

“Kur shohim rritjen e autoritarizmit në Evropë, duket e paqartë strategjia e institucioneve evropiane se si një vend të vogël siç është Kosova, e bllokon. Te BE kemi dërguar aplikimin në 15 dhjetor 2022 dhe jemi akoma në pritje të një përgjigjeje. Është konfirmuar që Kosova është e aftë t’i zbatojë detyrimet që dalin nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit apo Plani i Rritjes dhe jemi të linjëzuar në politikën e jashtme dhe sigurisë së BE-së”, cilësoi Ahmeti.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës u shpreh se dy janë sfida kryesore me të cilat përballet Kosova në çështjen e integrimit në BE. Nga njëra anë sipas Ahmetit, janë pesë vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe nga ana tjetër është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ku kriteri i fqinjësisë së mirë duhet plotësuar si kusht, por Serbia nuk është e interesuar për të qenë pjesë e BE-së.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›