Ahmeti: Mos e miratoni raportin e Martyt

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në një letër dërguar kryetarit të Asamblesë Parlamentare (AP) të Këshillit të Evropës (KE), Mevlut Cavusoglu, ka kërkuar nga ai të pengojë miratimin e Raportit të Dick Martyt për Kosovën.
“Në vazhdën e aktiviteteve të cilat janë në drejtim të demaskimit dhe kundërvënies së tentimeve të disa qarqeve për njollosjen dhe denigrimin e vlerave të luftërave të fundit të popullit shqiptar në këto troje, është edhe letra e kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti, dërguar kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka njoftuar zyra e shtypit pranë kësaj partie.
Në letrën e Ahmetit, thuhet se raporti është tendencioz dhe me prapavijë politike. Nga BDI kanë informuar se letrës së kreut të tyre i është përgjigjur edhe kryetari i AP-së, Cavusoglu.
“Sot, kryetari i Asamblesë Parlamentare të KE-së, z. Mevlut Çavushoglu, në letrën e tij, falënderoi Ahmetin për letrën dhe informoi se sipas rregullave, ajo është proçeduar në Komisionet përkatëse të Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftimin e BDI-së.