Ahmeti: Si më propozuan ndarjen e Maqedonisë
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka rrëfyer për herë të parë ofertën për ta ndarë Maqedoninë mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Shefi i partisë shqiptare në pushtet ka folur gjatë bisedës me pedagogë dhe studentë të Universitetit Evropian të Tiranës edhe për konfliktin e Maqedonisë me Greqinë, duke sugjeruar të gjendet një zgjidhje.
Z. Ahmeti, si ish-drejtues i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe më pas si kryetar i një prej partive kryesore politike në Maqedoni, a mund të na thoni cili ka qenë momenti juaj më i vështirë që keni kaluar?
Isha në një moment kur unë kërkoja kujtime me profesorët për periudhën 2001, duke u përpjekur të gjej cili ishte momenti më i vështirë për ne. Ishte oferta nga shteti për ta ndarë Maqedoninë. U ndodhëm në një pozicion jashtëzakonisht të rëndë, të vështirë, që duhej të merreshin edhe vendime, mirëpo tani nuk është si rezultat vetëm i imi, por burrat e shtetit duhet të vendosin, të marrin vendime të rëndësishme, duhet të vendosnin do ta ndajmë Maqedoninë apo nuk do ta ndajmë? Në këtë situatë unë si komandant i përgjithshëm i ushtrisë dhe përfaqësues i politikës, sigurisht që kërkohej një vendim i prerë: vendosëm që të mos ndahet Maqedonia, sepse proceset nuk zhvilloheshin për të ngritur dhe forcuar kufijtë në mes vendeve brenda rajonit, por ne shikonim nga e ardhmja që ishin dhe janë BE dhe NATO. Nga ana tjetër nuk donim edhe njëherë të fusnim thikë në zemrat e shqiptarëve, të ndanim shqiptarët, sepse oferta që ne na bëhej ishte një pjesë ku jetonin shqiptarët, thuajse 7 apo 8% nga territori i Maqedonisë duhet të braktisnin vatrat e tyre dhe po të njëjtin vlerësim e bëmë edhe për popullatën maqedonase. Në këtë rast ne kemi gjykuar si prindër, kemi gjykuar si njerëz dhe jo si ushtarakë.
Kështu që vendosëm të mos shkaktojmë dhimbje as te qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë maqedonas, as te shqiptarët, sepse afërsisht 250 mijë shqiptarë duhej të zhvendoseshin nga vatrat e tyre në hapësirat shqiptare dhe afërsisht 70 mijë maqedonas etnikë të zhvendoseshin nga pjesa shqiptare në pjesën e tyre. Zgjidhjen e vetme ne në këtë mënyrë e pamë që shqiptarët të ishin të barabartë në vendin e tyre dhe pikërisht mbi këto kërkesa tonat është bërë edhe marrëveshja ndërkombëtare paqësore e Ohrit. Pra, shqiptarët popull i barabartë në Maqedoni dhe Maqedonia shtet i shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve. Po ju them që ju keni Skënderbeun në sheshin e Tiranës, por edhe studentët e Universitetit të Tetovës dhe Evropës Juglindore e kanë Skënderbeun në sheshin e Shkupit. Shqiptarët në Maqedoni kanë universitetet në gjuhën e tyre, flamuri kombëtar shqiptar valëvitet i lirë, gjuha shqipe në nivel lokal është në përdorim të plotë zyrtar dhe në nivel qendror kemi miratuar ligjin e zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë. Ky ligj zyrtarizon gjuhën shqipe në përdorim të plotë në Parlamentin e Maqedonisë, çdo dokument, projekt që bëhet për diskutim në Parlament është edhe në gjuhën shqipe. Kemi institucionalizuar disa objekte të rëndësisë së veçantë, siç është shtëpia në Manastir, ku është mbajtur Kongresi i Manastirit, shtëpi që është shndërruar në muze. Në Shkupin e vjetër kemi ngritur muzeun e lirisë që përfshin periudhën prej vitit 1878-2001, janë institucionalizuar varreza dhe obeliskë të të gjithë atyre që kanë rënë që nga viti 1945-2001. Kemi ngritur dy fakultete në kuadër të Universitetit të Tetovës në veri të Maqedonisë në Kumanovë, që do të jetë në shërbim edhe të bashkëkombësve tanë në Luginën e Preshevës dhe është në një afërsi shumë të afërt 12 km nga Presheva në Kumanovë.
Cili është pozicioni juaj lidhur me emrin e Maqedonisë dhe konfliktin me Greqinë në kontekstin edhe të deklaratës së fundit të ministrit grek, Samaras, për ndarjen e Maqedonisë dhe krijimin e Shqipërisë së madhe? Çfarë qëndron nga disa analiza të shtypit shqiptar apo dhe shqiptarëve në Maqedoni, sipas të cilave ju mbështeteni fort, përfshirë edhe financiarisht nga Athina zyrtare dhe jeni një monedhë e përkëdhelur në dorën e tyre?
Njeriu që merret me politikë dhe ka përgjegjësi, po hyri dhe u bë monedhë ai nuk ka autonomi dhe pavarësi. Mbi të gjitha jam përpjekur që në jetën time të kem dinjitet, pavarësi dhe autonomi të plotë. Unë këtë do e dëshmoja për 16-18 muaj radhazi po të kisha një hipotekë të vogël në shtetin e Maqedonisë. Ali Ahmeti dhe Bashkimi Demokratik për Integrim nuk guxonin ta hapnin më gojën. Për 18 muaj radhazi kemi folur se ne kemi patur të drejtë dhe ne nuk kemi patur hipoteka, organizuam zgjedhje, përmbysëm parlamentin dhe kjo pikërisht ishte iniciativa e Bashkimit Demokratik për Integrim, sepse jeta politike në vend u bllokua në sajë të mosveprimit të drejtë të partisë politike më të madhe maqedonase, që nuk zgjodhi për partner fitimtarët tek blloku shqiptar, por zgjodhi humbësit dhe Maqedonia mund të qëndrojë si shtet duke respektuar dy komunitetet më të mëdha: maqedonasit etnikë dhe shqiptarët etnikë. Shqiptarët nuk janë minoritet në Maqedoni, nuk janë as edhe shumicë, por ne jemi mbi 25% të popullatës. Ne jemi përpjekur për fqinjësi të mirë edhe ndaj Greqisë, Bullgarisë apo Serbisë, sepse me hasmëri shekullore nuk mund të ecet përpara. Përfundimisht rajoni i Ballkanit si rajon luftërash shekullore njëherë e përgjithmonë duhet të kthehet nga e para dhe e kaluara t’i shërbejë si një e kaluar e hidhur, por që ne nuk duhet ta harrojmë, sepse po të harrosh të kaluarën nuk di të ecësh përpara, nuk di të bësh garë. Ne nuk duam që të përsëriten konfliktet dhe hasmëritë, por të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dy palët. Këtu kemi të bëjmë me kontekste historike, me probleme për identitetin. Greqia vë në pikëpyetje identitetin maqedonas dhe kjo është një çështje shumë e ndjeshme, që ne nuk na bën edhe aq të jemi të gatshëm për t’i dhënë edhe një përgjigje adekuate, sepse bëhet fjalë për identitetin e bashkëkombësve dhe atyre u takon, ata të deklarojnë, ata të përcaktojnë dhe jo ne t’ua përcaktojmë origjinën dhe identitetin atyre.
Gjithë këto bisedime të gjata e të vështira me Greqinë. Çfarë ka me të vërtetë pas bisedimeve për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë?
Unë nuk e shoh si problem të pazgjidhshëm. Mund të arrihet në një kompromis, nuk është e rëndësishme a do quhet Maqedonia Veriore a Republika Demokratike e Maqedonisë. Këtu shtrohet si problem serioz identiteti, gjuha dhe ne përderisa jetojmë në një shtet nuk duhet që të prekim ndjenjat e bashkëqytetarëve tanë dhe kërkojmë edhe nga shteti grek që të kenë parasysh këto ndjenja të maqedonasve etnikë. Në këtë rast unë pres më shumë tolerancë nga Greqia, sepse ky shtet duhet të jetë lider i shteteve të Ballkanit Perëndimor. Unë pres që Greqia të ndihmojë shumë më shumë në këtë drejtim, sepse duke qenë pjesë e NATO-s dhe BE-së edhe shtetet që kanë dalë nga ish-perandoria jugosllave do të kenë stabilitet, siguri dhe ardhmëri më të sigurt për një paqe të qëndrueshme. Nuk duam Shqipëri të madhe, ne duam që në Maqedoni të jemi të barabartë, një Kosovë të pavarur dhe të gjithë të jemi të integruar në BE dhe në NATO.