Berisha i përgjigjet KE-së: Ligji, me standarde morale
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha reagon pas kritikave të Këshillit të Evropës për ligjin e Dosjeve. Pak orë pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Terry Davis, lidhur me elementë të ligjit, kreu i qeverisë shqiptare theksoi dje në një konferencë për shtyp se një ligj lustracioni nuk mund të kalojë pa kritika. Duke komentuar shqetësimet e zyrtarit të lartë të KE-së, Berisha theksoi se ligji për lustracionin ka afat, duke shtuar se Davis është keqkuptuar në këtë pikë, teksa deklaroi se ligji nuk kishte kufij. “Nëse lexoni deklaratën e zotit Davis, në të thuhet se ligji nuk përcakton një afat, por ju si shqiptarë e dini se ky ligj ka një afat dhe ky afat është 5 vjeçar. Unë mund të pranoj se ka një kufizim të të drejtave, por nuk mund ta pranoj se nuk ka afat. Atëherë po të jetë me afat, nëse e lexojmë deklaratën siç është, i bie që ligji të jetë në rregull. Por, në rast se ka pasur një pakujdesi nga nëpunësi që ia ka dhënë, nuk e kuptoj maninë tuaj për ta besuar verbërisht këtë, kur ju e dini që ligji ynë ka një afat”, u shpreh kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë, kreu i ekzekutivit u shpreh se drafti i miratuar nga maxhoranca dhe që pret hyrjen në fuqi përmban edhe parimin e ndershmërisë dhe proporcionalitetit. Sipas tij, ky ligj nuk do të ishte i ndershëm nëse vlerësimi për zyrtarët me dosje do të bëheshin vetëm nga një komision i ngritur nga Kuvendi. Ndërkohë ligji përcakton që zyrtarët e verifikuar, nëse nuk bien dakord me vendimin e komisionit, t’i drejtohen tre shkallëve të gjyqësorit. Në të njëjtën kohë, sipas Berishës, dalja e një zyrtari me dosje nuk shoqërohet me sanksione për të, siç ndodh, citoi kreu i qeverisë, disa vende shkojnë deri në përgjysmimin e pensionit. “Sekretari i Përgjithshëm Terry Davis ka të drejtë kur thotë se në ligj është vendosur edhe kandidat për në zgjedhje. Por në moralin e kombit tonë, a do të ishin më shumë se 3 për qind e shqiptarëve që do të pranonin se presidenti, kryeministri, ministri, deputeti, të kishin qenë bashkëpunëtor dhe vartësit e tyre jo? Unë nuk besoj se do ta pranonte kush këtë. Unë jam i detyruar të respektoj një standard moral të vendit tim”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Lideri i maxhorancës u shpreh se një i zgjedhur vendor, i cili është me dosje, nuk mund të vazhdojë të mbajë këtë funksion meqë ka dalë nga vota e elektoratit, kurse bashkëpunëtori i tij, meqë nuk është votuar, të lërë detyrën. Duke krahasuar variantin e miratuar tashmë në Kuvend, me atë të propozuar kohë më parë nga Partia Socialiste, Berisha theksoi se varianti i PS-së bënte të mundur pikërisht hapjen e të gjitha dosjeve. Por sipas kreut të qeverisë “ne nuk i hapim, sepse t’i thuash një punonjësi të bashkisë se nuk mund të jetë këshilltar i kryetarit, sepse ka qenë bashkëpunëtor, ndërsa Kryetari i Bashkisë mund edhe të ketë qenë bashkëpunëtor, por kjo nuk prish punë, ky nuk është standard moral”. Lidhur me vërejtjen tjetër të KE-së, sipas të cilit lustracioni duhet të mbyllej deri në vitin 1999, Berisha solli rastin çek i cili në vitin 2002 zgjati prapë mandatin e komisionit. Në fund ai shtoi se në Shqipëri një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe viti 2014 do të jetë afati i fundit i zbatimit të tij.