Ahmeti i cilëson dosjet e fundit, si letra të lyera me bojë

Ali Ahmeti i konsideron dosjet e publikuara nga Valon Bela, si letra të lyera me ngjyrë.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim rithekson edhe një herë, se as nuk ka qenë dhe as nuk e ka ndërmend të jetë ndonjëherë bashkëpunëtor i strukturave të ndryshme sekrete.
Shtetasi Valon Bela pretendon se ka publikuar dosjet origjinale, në të cilat thuhet se Ali Ahmeti ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë.
Por, Ahmeti u bën apel partive politike që qëndrojnë pas publikimit të këtyre dosjeve, që paratë e shpenzuara për këto afera, më mirë t’ua ndajnë familjeve në nevojë sesa Bozhidar Spasiçit.
“Bozhidar Spasiçi e ka humbur luftën me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Bozhidar Spasiçi e ka humbur luftën me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, që është quajtur Lëvizja Popullore e Kosovës. Unë nuk kisha dashur që shqiptarët tanë të jenë argatë të Bozhidar Spasiçit”, thekson Ali Ahmeti.
Gjatë një takimi me banorët e Komunës së Çairit në Shkup, kryetari i BDI-së komentoi edhe zërat e ditëve të fundit, që flasin për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni. Ahmeti paralajmëroi kundërshtarët politikë, se kur BDI-ja të vendosë për zgjedhje ajo do t’i njoftojë ata pesë muaj para mbajtjes së tyre.
“Bashkimi Demokratik për Integrim projekton program qeverisës për zgjedhjet e ardhshme, nuk do të dalim më me program që përfshin një pjesë të vendit ku jetojnë shqiptarët. Ne do të dalim me program qeverisës edhe për Strumicën, edhe për Dibrën, Tetovën, edhe për Deve Bairin. Kjo, sepse ky është shteti jonë dhe do i dalim zot edhe me program qeverisës, le të urdhërojë kujt i pëlqen çfarëdo përkatësie që është, le të votojë”, theksoi Ahmeti para qytetarëve të Shkupit.