Rifillon pak nga pak qarkullimi ne qiejt e kontinentit
Në aeroportet dhe stacionet e trenave në Europë po kthehet gradualisht normaliteti pas disa ditësh me borë e ngrica që krijuan kaos për udhëtarët në periudhën e ngarkuar të festave të fundvitit. Aeroporti “Heathrow” në Londër njoftoi të mërkurën për realizimin e shumicës së fluturimeve, ndërsa në Gjermani Aeroporti i Frankfurtit bëri të ditur se shërbimi po normalizohet gradualisht, pas afro 500 fluturimeve të anuluara të martën. Shërbimi hekurudhor “Eurostar” që lidh Britaninë me Europën kontinentale po operon thuajse si zakonisht, por udhëtarëve pa bileta u është kërkuar të mos paraqiten në terminale. Drejtuesit e “Eurostar”-it po përpiqen të shmangin përsëritjen e radhëve të stërgjata të ditëve të fundit. Që prej disa ditësh situata në të gjitha aeroportet kryesore të Europës Veriore ka qenë e nderë. Pjesa më e madhe e fluturimeve ishte ndaluar dhe pasagjerët kanë kaluar ditë të tëra nëpër terminalet në pritje të fillimit të lëvizjes së lirë. Kjo bëri që të ishin të shumtë ata që anulonin fluturimet më të parashikuara për festat e fundvitit.
Ndërkohë, drejtuesit e aeroporteve janë kritikuar nga autoriteti i fluturimit i BE-së për një menaxhim jo të mirë të kësaj situate të rëndë, e cila gjithsesi nëse do të ishte menaxhuar siç duhej mund të mos kishte krijuar një bllokim të tillë të të gjitha mjeteve të transportit në kontinent.