E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti i siguron fitoren Prishtinës në hapje të kampionatit

Kastriot, 15 gusht - Mesfushori Azem Ahmeti (33') shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0 të Prishtinës kundër skuadrës së KEK-ut. Ndeshja u zhvillua të shtunën në stadiumin "Agron Rama" në Kastriot dhe ishte e para e javës së parë të edicionit 2010/11 të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Ahmeti pas një bashkëveprimi me sulmuesin Faton Zejnullahun para zonës së rreptësisë, me një parabolë mposhti portierin vendas Ilir Avdyli.

Prishtina e nisi mirë takimin. Sulmuesi Astrit Fazliu qysh në minutën e dytë pati rast të mirë shënimi, por dështoi nga afërsia. I njëjti futbollist në minutën e 28-të provoi nga distanca por ishte i pasaktë.

Rastin e vetëm në pjesëlojën e parë KEK-u e regjistroi në minutën e 30-të. Mensur Simnica nuk arriti t'i përgjigjej harkimit të Krenar Kosumit.

"U munduam të bëjmë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv, por nuk ia dolëm. Nuk është fundi i botës, tash na mbetet t'i përmirësojmë gabimet tona për ndeshjet e tjera. Nuk kam pritur humbje, por ja që ndodhi", ka thënë trajneri i KEK-ut, Mentor Miftari.

Për trajnerin e Prishtinës, Ramiz Krasniqi, fitorja ishte e rëndësishme, ani pse ishte minimale.

"Vapa e madhe ndikoi në lojën tonë dhe nuk treguam tërë potencialin. Ishte lojë e mirë dhe ne patëm shumë raste. Ndeshjen kemi mundur ta përfundonim edhe me rezultat më të thellë".

Në pjesëlojën e dytë si KEK-u ashtu edhe Prishtina patën nga një gjuajtje në drejtim të portave rivale.

Fillimisht mesfushori i KEK-ut, Qëndrim Sejdiu, në minutën e 55-të gjuan mbi portë nga 18 metra. I pasaktë ishte edhe Ahmeti që në minutën e 78-të provoi nga zona e rreptësisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›