Ahmeti ndahet me Renovën
Eksperienca e Liridon Ahmetit në Renovë ka qenë shumë e shkurtër. Mbrojtësi kosovar është ndarë të shtunën me klubin shqiptar nga Maqedonia. Lajmin e ka bërë vetë ish futbollisti i Trepçës, i cili tregon edhe arsyet e ndërprerjes së bashkëpunimit me Renovën.
“Arsyeja kryesore ishte largimi i Bylbyl Sokolit, i cili më kishte transferuar në Renovë. Pastaj erdhi një trajner i ri maqedonas, i cili kishte plane të tjera. Unë u thash udhëheqësve të klubit se kam ardhur këtu për të luajtur. Pastaj nuk u morëm vesh dhe kërkova të largohem”, deklaroi mbrojtësi i majtë vushtrrias për Express.
Nga e hëna, ‘Leci’ do ta kërkojë ekipin e ri. Ai ka oferta nga Shqipëria, por nuk e përjashton mundësinë që të luajë në Kosovë, nëse i arrin ndonjë ofertë e kënaqshme.
“Do të bisedoj këto ditë me dy klube nga Shqipëria. Pres oferta edhe nga Kosova. Më pas do t’i vlerësoj ofertat dhe do të vendos se ku të luaj, qoftë në Shqipëri, apo edhe në Kosovë”, vazhdoi ai. Nuk përjashtohet mundësia që Ahmeti të kthehet te Trepça, ku kaloi disa sezone.