Mund t'ia dalim

Selektori Josip Kuze beson se Kombëtarja shqiptare mund të arrijë sukses në kualifikimet për Kampionatin Botëror ‘Brazili 2014’. Trajneri i Kuqezinjve ndihet i kënaqur me shortin që u hodh të shtunën mbrëma, i cili e vë ekipin e tij përballë ekipeve si Zvicra, Norvegjia, Sllovenia, Islanda dhe Qiproja. Trajneri kroat beson se ka ardhur koha që edhe Shqipëria ta shijojë suksesin që e kërkojnë të gjithë.
“Kur e pash Islandën dhe Qipron nga vazoja 6 dhe 5, mendova se më të fortët e vazove do të jenë përballë nesh, sepse realisht të dyja janë më të fortat nga grupi i skuadrave ku ishin grupuar respektivisht. Por, më pas fillova të ndjej se në rast se ne do të bëjmë një pasqyrë të mirë të rrugës sonë deri më tani dhe asaj që na pret në të ardhmen, kemi mundësi t’ia dalim me sukses”, ka thënë Kuze për uebfaqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) pas hedhjes së shortit.
- “Është e vërtetë se Zvicra e Norvegjia janë skuadra që luajnë një futboll të fuqishëm. Rezultatet e tyre tregojnë se niveli i futbollit në këto vende është rritur së tepërmi dhe ata kanë pretendime serioze. Po kështu, pothuajse në të njëjtin nivel vjen edhe Sllovenia. Ne duhet të vlerësojmë gjithçka me vëmendje, profesionalizëm, analizë e masa të thella, përgjegjshmëri e kurajo. Këto do na sillnin më afër suksesit të shumëkërkuar nga të gjithë”, vazhdoi kroati.
Hitzfeld: Short mjaft i mirë
Selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, është i kënaqur me shortin e hedhur të shtunën mbrëma, ku ekipi i tij përfundoi në Grupin E së bashku me Norvegjinë, Slloveninë, Shqipërinë, Qipron e Islandën.
“Është një grup i hapur dhe i nivelizuar. Jam i lumtur që i evituam favoritët si Spanja e Gjermania. Jam i lumtur po ashtu që nuk do të përballemi me Francën e Rusinë. Për ne është një short mjaft i mirë”, deklaroi Hitzfeld.
Kek: S’ka favorit
Selektori i Sllovenisë, Matjaz Kek, është i bindur se ekipi i tij ka potencial real për arritje të mëdha në kualifikimet për Botërorin 2014. Mirëpo, ai është i vetëdijshëm se sllovenët nuk do të kenë punë të lehtë ndaj kundërshtarëve në Grupin E, ku gjendet edhe Shqipëria.
“Të gjitha skuadrat do të jenë vështirë të mposhten, nuk shoh favorit. Sllovenia do të konsolidohet, por janë konkurrentë të fortë dhe do të përgatiten mirë. Norvegjezët dhe zviceranët janë të fortë, por mos ta harrojmë edhe Qipron e Shqipërinë. Sllovenia është njëra nga skuadrat e grupit që mund të mendojë të renditet lart në tabelë. Ne mund ta mposhtim secilin ekip, këtë e kemi vërtetuar në të kaluarën”, tha Kek për mediat sllovene.
Olsen: Shqipëria, ekip i mesit të tabelës
Selektori i Norvegjisë, Egil Drillo Olsen, e ka komentuar fazën e grupeve të eliminatoreve për Botërorin 2014. Si rrezik permanent ai i konsideron Zvicrën e Slloveninë, ndërsa pak më poshtë e sheh Shqipërinë.
“Është një grup i mirë për ne, por mund të kishim edhe më shumë fat. Zvicra është më e forta e grupit. Edhe Sllovenia ka ekip kualitativ. Ndërsa, Shqipëria i takon mesit të tabelës. Qiproja dhe Islanda janë ekipet më të mira të vazove të fundit. Sidoqoftë, kemi mundësi të mira. Kërkojmë njërën nga dy pozitat, që të paktën të shkojmë në barazh”, deklaroi ‘Drillo’ për TV2 Sport.