Hakmerret Mançesteri, mund 2-1 Barcelonën në miqësore
UASHINGTON- Përpara 82 mijë spektatorëve, përfshi edhe emra si Kobi Brajant, Mançester Junajtid ka mposhtur 2-1 Barcelonën, në një nga miqësoret më të forta të kësaj vere. “Djajtë e Kuq” kanë përmbushur një gjysmë hakmarrje për finalen e Champions League, ndonëse katalanasit kanë qenë në këtë takim pa Ksavi Hernandez, Lionel Mesin dhe blerjen e re Aleksis Sançez. Në Uashington, takimi është zhvilluar me ritme të ulta, sidomos në kampin e Barcelonës, që është munduar përgjatë gjithë kohës të qarkullojë topin. Megjithatë, një gol i shënuar nga Luis Nani në minutën e 22-të, pas një pasimi të Uellbek. Në pjesën e dytë, ndeshja është nxehur jo pak dhe kjo është kuptuar sidomos nga ndërhyrjet e rënda në fushë. Tiago Alkantara, një nga talentet më të rinj të Barcelonës, barazoi shifrat në minutën e 70-të, me një goditje shumë të fortë nga jashtë zone. Por, 6 minuta më pas Mançesteri përgjigjet me një tjetër gol të mrekullueshëm, këtë herë nga veterani Majkëll Ouen. Deri në fund, katalanasit nuk bënë dot asgjë për të ndryshuar shifrat e këtij takimi.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)