E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti ndikoi përfshirjen e “emrit” në takimin Obama-Samaras

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, është “fajtori” që në takimin e 8 gushtit në mes presidentit amerikan, Barak Obama, dhe kryeministrit grek, Andonis Samaras, do të diskutohet edhe çështja e emrit. Kjo gjë është bërë e ditur personalisht nga Ahmeti, gjatë një takimi me përfaqësuesit e mediave në selinë partiake në Tetovë.

Ahmeti ka deklaruar se ka kërkuar nga administrata amerikane, gjatë vizitës së tij në muajin maj në Uashington, të shtrohej për diskutim në takimin Obama-Samaras, edhe kontesti bilateral në mes dy shteteve, shkruan zhurnal.

“Çështja e emrit duhet zgjidhur, përndryshe do të mbesim të izoluar në rajon. Tani është momenti për zgjidhje. Një gjë e tillë më është thënë e sugjeruar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka paralajmëruar se do të kërkojë debat publik për emrin, ndërsa është shprehur se BDI nuk mbështet zgjidhjet që cenojnë identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Ahmeti ka përsëritur qëndrimin se propozimi “Maqedonia e Epërme” është i pranueshëm për BDI-në.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me dallimet në mes BDI-së dhe VMRO-së, Ahmeti ka thënë se një nga dallimet edhe nevoja e debatit.

“VMRO-DPMNE nuk dëshiron debat, por BDI përfaqëson mendimin se debati është i domosdoshëm. Dallime ka edhe lidhur me identitetin. Por, pas konsultimeve që kemi bërë me shumë qendra ndërkombëtare, BDI mendon se identiteti i bashkëqytetarëve tanë maqedonas nuk është i cenuar. Ndërkaq, VMRO-DMNE mendon ndryshe. VMRO-DMNE insiston që emri kushtetues të jetë pjesë e zgjidhjes, ndërsa BDI mendon se kjo nuk çon drejt zgjidhjes dhe se duhet kërkuar një kompromis. NE nuk mendojmë se është cenuar edhe gjuha maqedonase”, ka deklaruara Ahmeti.

Kreu i integristëve ka hedhur poshtë gjithashtu mundësinë e organizimit deri në fund të këtij viti të zgjedhjeve të parakohshme./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›