"Ahmeti shou", lidhet me pranga poshtë kamionit
Komandanti i Grupit të Gatshëm kërkon të bëjë martirin, lidh veten me pranga poshtë kamionit të PS-së
TIRANË - Situata ka arritur kulmin në momentin që përkrahësit e PS-së kanë nisur të zhvendosin karroatrecin e tretë, që kishte bllokuar dhe hyrjen për në bulevard nga ana e unazës.
Gjendja ka dalë jashtë kontrollit në momentin që drejtuesi i Grupit të Gatshëm të policisë, Krenar Ahmeti, ka hipur mbi karroatrecin e tretë të zhvendosur dhe është hedhur përpara maunes, e cila kishte hipur mbi një pjesë të trotuarit të bulevardit për t'u futur në zonën e ndaluar prej policisë.
Ai është shtrirë përpara saj, duke bërë rolin e martirit. Duke bërë skena dhe gjeste të shtirura, ai pretendonte se po sakrifikohej për Policinë e Shtetit. Ahmeti është hequr menjëherë që aty nga përkrahësit socialistë. Më pas, në ndihmë të tij kanë ardhur dhe disa uniforma të tjera blu, por të cilat edhe ato janë larguar me forcë nga protestuesit.
Por s'ka mjaftuar me kaq, pasi në momentin që shoferit të maunes i kërkohej nga socialistët që të ecte përpara, ai është sinjalizuar që të mos lëvizte, pasi poshtë makinës ishte shtrirë Krenar Ahmeti, i cili u lidh në një nga tubat e pjesës fundore të saj me prangat e tij.
Ahmeti ka nisur të aktrojë si një njeri shumë i indinjuar dhe kërkonte që media ta filmonte teksa kryente këtë "sakrificë të madhe". "Shihni se ç'sakrificë bën polici i shtetit, shikoni se çfarë po ndodh me policinë, se çfarë jemi detyruar që të bëjmë,"-- thoshte Ahmeti, teksa tregonte dorën që kishte lidhur me pranga në pjesën e poshtme të makinës.
Krenari është kthyer në qesharake, teksa policë të tjerë i kërkonin Ahmetit që të dilte nga poshtë makinës ku ishte futur. Ai ka pranuar që të lirojë veten nga prangat pas disa minutash "ngujim", vetëm pas një urdhri me telefon nga një prej eprorëve të tij.
Pasi ka dalë, ai është marrë nga kolegët e tij, të cilët janë larguar bashkë me të, duke lënë makinën me materialet e skenës që të kalonte për në pjesën e ndaluar të bulevardit dhe për t'u vendosur përpara Kryeministrisë, ku ndodhej që më parë një pjesë e skenës.