E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra, PD, fushatë brenda ambienteve të burgjeve

TIRANË - Partia Socialiste ka vënë në dijeni, në mënyrë zyrtare, ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, lidhur me disa shkelje të dukshme dhe flagrante, që kjo forcë pretendon se janë bërë gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, nga ana e administratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.


Sipas PS-së, në këtë fushatë zgjedhore, personeli i Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale është bërë pjesë e presionit politik, që ushtrohet ndaj personave të dënuar apo të paraburgosur, me qëllim orientimin e votës së tyre.


Gjithashtu, PS-ja konstaton me shqetësim se në disa raste, shkelës të ligjit nuk kanë qenë vetëm drejtues të këtyre institucioneve, por dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, apo anëtarë të listave elektorale të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. "Në shkelje të nenit 43 të ligjit nr. 8328, dt. 16.04.1998, në mjediset e IEVP nr.313 në Tiranë, është raportuar prania e deputetit të PD-së, Aldo Bumçi, dhe disa pjesëtarëve të listës elektorale të kësaj partie në Qarkun e Tiranës.


Në brendësi të institucionit shtetëror, këta përfaqësues të PD-së kanë zhvilluar takime me personat e paraburgosur, duke bërë thirrje për të mbështetur forcën politike që ata përfaqësojnë. Raste të tjera të këtyre vizitave të shpeshta të deputetëve të PD-së janë konstatuar dhe në institucione të tjera, si në IEVP Peqin", - thuhet në këtë letër.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›