Anijet, Shqipëria në "Listën e Zezë"
RENDITJA/ Mjetet lundruese që përdor vendi ynë hyjnë në zonën me rrezikshmëri shumë të lartë
Regjistri Detar Shqiptar, edhe pse ka ngjitur tri shkallë në dy vjet, renditet në treguesin e perfomancës së ulët
Shqipëria vijon të jetë në "Listën e Zezë"të Komitetit Ndërkombëtar të Kontrollit Shtetëror Portual për shkak të anijeve me një nivel të lartë rreziku që ajo përdor. Lista, e cila do të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti, është prezantuar në takimin e radhës në Paris.
Në komunikatën për shtyp të këtij komuniteti u bë e ditur se "Lista e Zezë" për vitin 2009 përmban 21 flamuj shtetesh, dy më shumë se vitin e kaluar dhe do të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti. Në këtë renditje, Shqipëria zë vendin e tretë pas Koresë së Veriut dhe Bolivisë.
Renditja
Një numër i madh shtetesh vazhdojnë të qëndrojnë në "Listën e Zezë". Shumë prej shteteve të konsideruara me rrezikshmëri të lartë në vitin 2008 kanë vijuar që të qëndrojnë në të njëjtën renditje.
Dhe në fakt, shtetet me rrezikshmëri më të madhe konsiderohen Republika Popullore Demokratike e Koresë, Bolivia dhe Shqipëria. Të reja në listë janë Libia, Moldova dhe Dominika. Flamujt me një paraqitje mesatare janë të renditura në "Listën Gri". Prania e tyre në këtë listë synon që ato të përmirësohen e të kalojnë më pas në "Listën e Bardhë".
Lituania, Turqia e Japonia kanë kaluar nga "Lista Gri" në atë të bardhë, ndërsa Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë zbritur në atë gri. "Lista e bardhë" përfaqëson flamujt cilësorë që kanë pak probleme. Bermuda (UK), Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë në krye të listës.
Bëhet e ditur se renditja e flamurit merret në konsideratë pasi anijeve të shënjestruara për inspektim dhe anijeve të renditura në "Listën e Zezë" mund t'u ndalohet hyrja në një rajon pas disa arrestimeve.
Regjistri detar (Shqipëri), Shoqëria koreane e klasifikimit (Kore), Regjistri bullgar dhe Regjistri detar ndërkombëtar (SHBA) kanë treguar një performancë shumë të ulët.
Shënjestrimi
Në buletinet e IMO-s dhe Paris MoU-t pasqyrohet një "gjueti" këmba-këmbës, port më port, e një anijeje shqiptare që konsiderohet "anije me rrezik tejet të lartë".
Anija "Sandri", me flamur shqiptar arriti në portin italian të Ravenës më 26 janar 2004. Anija për transport mallrash me tonazh të përgjithshëm 1156, me moshë, atëherë, prej 36 vjetësh u klasifikua nga inspektorët si shënjestër.
Ndërkaq, më 20 tetor 2004, pas më pak se 10 muajsh, ajo u inspektua në mënyrë më të detajuar po në portin e Ravenës, Itali. Pas një muaji e 20 ditësh, më 10 dhjetor 2004, u inspektua sërish në Ankona.
Kur mbushi 38 vjeç u inspektua dy herë në portin italian të Barletës brenda një muaji e gjysmë, më 13 tetor dhe 28 nëntor 2006. Kur mbushi 39 vjeç, në 5 dhe 29 maj 2007, u inspektua me hollësi nga grekët në portin e Gumenicës.
Por dhe kur ndërroi emrin, me ndërrim pronësie, duke u ripagëzuar "Scutari", e regjistruar në kapitenerinë e portit të Durrësit më 20 maj 2008, tashmë në moshë 40 vjeç, u inspektua në detaje në portin kroat të Shibenikut, më 4 gusht 2008.
Regjistri
Regjistri Detar Shqiptar, edhe pse dy vjetët e fundit ka ngjitur tri shkallë në performancën e vet, gjithsesi si organizatë e njohur ndërkombëtarisht renditet në treguesin e performancës së ulët.
Kjo vjen nga fakti se armatorët shqiptarë ende të pafuqishëm financiarisht, përdorin anije të vjetra, me moshë mesatare 35 vjet nga 38 deri vitin e kaluar. Mjetet lundruese shqiptare kategorizohen me rrezik tepër të lartë në "Listën e Zezë" të KE-së. Ndërkohë, kjo e fundit i kërkon Shqipërisë përmbysjen e situatës dhe në këtë sektor të ekonomisë së transportit në kuadrin e objektivave të anëtarësimit.