E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pas 36 orësh do të bëjmë ndryshimin në histori

PS-ja mbyll fushatën. Lideri i opozitës tha se dita e diel do të jetë dita kur shqiptarët do të firmosin, me votën e tyre, ndryshimin që kërkojnë.


TIRANË - "Këto janë orët për të mbyllur në librin e historisë Sali Berishën dhe për t'i dhënë fund historisë së marrë të politikës së tij të vjetër". Me këto fjalë u është drejtuar dje për herë të fundit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zgjedhësve shqiptarë, para se ata t'i drejtohen ditën e diel kutisë së votimit për të zgjedhur Parlamentin e ardhshëm.


Opozita që konkurron në zgjedhjet e nesërme nën koalicion "Bashkimi për Ndryshim", ka mbyllur dje në mbrëmje, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në një atmosferë festive, rrugëtimin e saj elektoral, duke pritur tashmë verdiktin popullor të ditës së nesërme.


Mitingu


Tensioni i krijuar në 24 orët e fundit, në përpjekje për të "marrë" sheshin përballë Kryeministrisë, për zhvillimin e mitingut përmbyllës të fushatës elektorale, si dhe pengesat e nxjerra nga Policia Rrugore, e cila në orët e pasdites kishte bllokuar për makinat nga rrethet të gjitha akset rrugore që të çonin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", nuk ka penguar mijëra simpatizantë dhe qytetarë të ardhur nga gjithë Shqipëria, që t'i bashkohen festës elektorale, që ka mbajtur Partia Socialiste dhe e gjithë opozita në mbyllje të fushatës zgjedhore.


Ashtu siç edhe u bë një zakon gjatë gjithë fushatës zgjedhore të kryesocialistit Edi Rama, edhe takimin e fundit elektoral e ka hapur treshja e grupit "West Side Family", të cilët përveçse kanë kënduar, u kanë bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të votojnë në fletën e votimit numrin 33, që është edhe numri që përfaqëson PS-ja.


Më pas, serinë e fjalimeve e ka hapur numri dhjetë në listën e kandidatëve të Tiranës, Eglantina Gjermeni, e cila në një fjalë të shkurtër u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë që të mbështesin ndryshimin.


Fjalën e kanë marrë me radhë kandidatë e përfaqësues nga secili qark, si dhe të gjithë krerët e partive aleate të PS-së, që kësaj radhe garojnë nën siglën e koalicionit "Bashkimi për Ndryshim".


Ndërsa ish-Kryeministri, Pandeli Majko, gjatë fjalës së tij ka prekur çështjen e incidentit me policinë për bulevardin dhe atë të ligjit që miratoi para pak kohësh mazhoranca aktuale, për dëmshpërblimin ish-bashkëpunëtorëve të fashizmit.


"Kjo është festa që i paraprin ndryshimit. Prandaj, sot, doja t'i thosha Berishës se ky është bulevardi i dëshmorëve dhe jo i bashkëpunëtorëve", - tha Majko në fjalën e vet. Ndërkohë, në takim ka folur edhe kandidati tjetër i Korçës, Ben Blushi, i cili duke u shprehur se gjithë Shqipëria po pret fitoren e ndryshimit më 28 qershor, ka ftuar kreun socialist, Edi Rama, në skenë, të cilin e ka cilësuar si njeriun që ka vullnetin e duhur për të udhëhequr këtë ndryshim.


Rama


"36 orë nga sot, ne do të kemi shansin të ecim drejt kutisë së fshehtë, për të bërë histori". Kështu e ka nisur fjalën e vet të fundit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje në takimin përmbyllës të fushatës elektorale, duke e konsideruar 28 qershorin si momentin e finalizimit të një përpjekjeje që ka nisur vite më parë, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në "Dialogut me Shqipërinë".


Rama është shprehur i sigurt në fitore, duke e cilësuar jo pak herë gjatë fjalës së vet se, dita e diel nuk do të jetë gjë tjetër, veçse dita kur shqiptarët do të firmosin me votën e tyre ndryshimin që kërkojnë. "Kaluan 4 vjet qysh se e nisëm këtë rrugë së bashku.


Qindra mijëra km rrugë, qytet më qytet e fshat më fshat, dhjetëra mijëra zëra e histori njerëzore vuajtjesh, shpresash, të mbledhura në kujtesë. Ngado nëpër Shqipëri, një nevojë e thellë për ndryshim, e cila dalëngadalë doli në sipërfaqe, edhe sot është kthyer në këtë det njerëzor, që, pas 36 orësh do të derdhet drejt kutive të votimit", - tha Rama në fjalën e vet.


Orët e mbetura deri në ditën e votimit, ai i ka konsideruar si shansin që kanë shqiptarët për ta marrë politikën në dorë dhe për ta bërë atë fuqi të një ndryshimi, që të gjithë në këtë takim e kanë quajtur historik. "Të gjithë duhet ta kuptojnë se kjo nuk është beteja mes shqiptarëve të majtë e shqiptarëve të djathtë. Kjo është beteja e Shqipërisë me varfërinë, që nuk është e majtë dhe as e djathtë", - tha më tej kryesocialisti.


Ai është përqendruar edhe tek angazhimet që ka marrë në këtë fushatë në të gjitha takimet që ka zhvilluar me shqiptarët, për të ndryshuar situatën në fshat dhe qytet, për të ndryshuar jetën e pensionistëve dhe të invalidëve, të garantojë të ardhmen e të rinjve dhe dinjitetin e shqiptarëve në botë.


E, për të bërë të mundur këtë, ai është shprehur se më 28 qershor do të mundë politikën e vjetër, e cila, sipas tij, përfaqësohet më së miri nga Kryeministri aktual, Sali Berisha.


Mitingu i PS-së vëzhgohet me kamera nga Kuvendi dhe Kryeministria

TIRANË - Mitingu përmbyllës i socialistëve, përveç qytetarëve dhe përkrahësve të partive opozitare që janë pjesë e koalicioni "Bashkimi për Ndryshim", është ndjekur me shumë "interes" edhe nga forcat e policisë, në veçanti, dhe ato të sigurisë, në përgjithësi.


Nuk bëhet fjalë vetëm për atë pjesë të uniformave blu që kishin krijuar kordonë të tërë përballë Kryeministrisë, por edhe për disa të "interesuar" të tjerë që e kanë ndjekur takimin përmbyllës të opozitës nga tarracat dhe dritaret e zyrave të dy institucioneve që ngrihen përballë njëri-tjetrit, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", Kryeministria dhe Kryesia e Kuvendit.


Disa dhjetëra punonjës të policisë dhe shërbimeve inteligjente kanë vrojtuar me dylbi dhe kanë regjistruar me aparate fotografike dhe kamera të gjithë mitingun. Fillimisht janë evidentuar dy individë në tarracën e Kryeministrisë, të cilët duke mos u ekspozuar plotësisht, kanë vrojtuar nga lart me dylbi pjesëmarrësit në miting, ndërsa kanë përdorur dhe aparate fotografike, për të fiksuar pamje të veçanta.


Më pas, disa persona me uniforma janë vënë re në tarracën e Kryesisë së Kuvendit, të cilët duke përfituar nga errësira, nuk kanë nguruar të nxjerrin edhe një kamer për të regjistruar ndoshta gjithë mitingun e opozitës.


Ndërkohë, disa persona janë evidentuar edhe nga brenda zyrave të katit të dytë Kryesisë së Kuvendit, kryesisht aty ku zakonisht zhvillon punimet Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe ai i Shëndetësisë. Pavarësisht këtyre masave, i gjithë mitingu i mbrëmshëm i PS-së dhe partive të tjera aleate, është zhvilluar i qetë dhe pa asnjë incident.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›