E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmeti takon krerët e shtetit të Kosovës

Prishtinë - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti ka zhvilluar takime të ndara me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z.Hashim Thaҫi, Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës z. Jakup Krasniqi si dhe presidentin Fatmir Sejdiu. Në takimin e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti me Presidentin e Republikës së Kosovës z.Fatmir Sejdiu u bisedua për procesin e dialogut në Kosovë mes faktorëve politik dhe mes institucioneve, me ҫrast presidenti Sejdiu shprehu kenaqësi për arritjet e shqiptarëve në Maqedoni dhe Bashkimit Demokratik per Integrim (BDI) në këtë periudhë qeverisjeje, vlerësoi klimën e relaksuar politike dhe dialogun që po zhvillohet.

Theks i veçantë i`u vu zgjedhjeve të 22 marsit në Maqedoni si test për institucionalizimin e demokracisë në vend dhe avancimin e standarteve evropiane si kusht për perspektivën evropiane të këtij vendi. Presidenti Sejdiu njëkohësisht vlerësoi lartë nismën e kryetarit të BDI-së për të takuar liderët e subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhjet e marsit duke cmuar lartë rolin e z. Ali Ahmeti në krijimin e të gjitha parakushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Në takim me kryeministrin kosovar z. Thaçi është diskutuar për zhvillimet politike në rajon, proceset politike në Kosovë, bashkëpunimi Maqedoni-Kosovë, përparimi dhe avancimi i këmbimit tregtar. Thaçi duke shprehur kënaqësinë për relacionet Shkup-Prishtinë çmoi lartë rolin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në procesin e njohjes së Kosovës nga ana e Maqedonisë dhe theksoi nevojën e komunikimit më të shpeshtë si dhe avanc imin e klimës së biznesit midis dy shteteve tona.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti njoftoi Kryeministrin Thaҫi për arritjet në 6 mujorin e parë të qeverisë BDI-VMRO, duke përmendur ligjin për gjuhën shqipe, implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, hapjen e muzeut të Lirisë, organizimin e manifestimit të 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit si datë me rëndësi për shqiptarët, projektet e parapara për vitin 2009, etj.

Gjithashtu, Ahmeti ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ku u theksua bashkëpunimi mes dy Parlamenteve, komunikimi i ndërsjellë mes trupave punuese të dy kuvendeve duke theksuar nevojën e këmbimit të përvojave në procesin e harmonizimit të legjislacionit të të dy vendeve me ato evropiane.

Në delegacionin e BDI-së që qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë marrin pjesë edhe nënkryetari i BDI-së Rafis Aliti, depuetët Xhevat Ademi dhe Xhemail Jashari, kryetari i komunës së Gostivarit Nevzat Bejta dhe Agron Buxhaku sekretar për marrëdhënie me jashtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›