E Diel, 1 Nëntor 2026

Fuere: Nuk janë shqiptarët fajtor për zgjedhjet

Shkup -Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Ervan Fuere ka hedhur poshtë pretendimet e ndryshme se shqiptarët kanë qenë fajtorë të vetëm në parregullsitë e zgjedhjeve të qershorit 2008. Ambasadori Fuere ka drejtuar kritika ndaj të gjithë faktorëve politik në Maqedoni për zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, por duke kërkuar përgjegjësi të njëjtë edhe në zgjedhjet e 22 marsit.

“Unë nuk e vendos fajin vetëm kryesisht tek blloku shqiptar, sepse nëse ekziston klimë ku rezultati përfundimtar do të fokusohet në një territor të caktuar, nuk mund t`i akuzoni vetëm ata që janë më aktiv në ate territor, por të akuzoni partitë nga tërë vendi. Për atë ekziston përgjegjësi kolektive, përgjegjësi e të gjithë liderëve politik për atë që ndodhi. Mendoj se ajo ishte thelbi i raportit të ODIHR-it dhe do të ishte gabim të definohet se ajo që ndodhi në qershor të vitit të kaluar ka të bëjnë vetëm me një grup të vogël, pakicë, të kufizuar në një territor të vogël të vendit”, ka theksuar ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere në intervistën për të përditshmen “Veçer”.

Ai ka nënvizuar se liderët politik duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet në nivel lokal dhe kombëtar për t`u tejkaluar ajo që ndodhi në qershorin e vitit të kaluar.

“Ata duhet të kuptojnë se ky është shansi i fundit që vendi të demonstrojë se ka kapacitete për zgjedhje”, ka theksuar evroambasadori Fuere, duke ritheksuar nevojën e angazhimit të Qeverisë dhe partive politike për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

Fuere sërish ka drejtuar kritika për procedurat e përshpejtuara parlamentare me rastin e miratimit të disa ligjeve, ndër të cilin edhe ate për përdorimin e gjuhëve. “Procedurat e përshpejtuara parlamentare të praktikuara në korrik të vitit të kaluar ishin diçka që nuk janë të zakonshme në praktikën demokratike”, ka theksuar evroambasadori Fuere. Ai ka hedhur poshtë edhe tezën e lansuar se duhet të bëhet presion më i madh ndaj liderëve të partive shqiptare.

“Jo, sepse kjo do të jepte një përshtypje se ata të vetmit janë fajtorë, ndërsa faji është tek të gjitha partitë politike, kjo do të duhet të jetë kështu, edhe pse disa liderë në përgjithësi e ndjejnë veten se nuk janë fajtorë, por vetëm nga fakti se janë lider të partive, ata marrin përgjegjësi”-ka theksuar Fuere. ina

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›