Ahtisaari: Pavarësia e Kosovës, korrigjim i një gabimi historik
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka nderuar në Nju Jork me çmimin e tij të përvitshëm "Duart e Shpresës", ish-presidentin e Finlandës dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqe, Martii Ahtisaari, për kontributin e tij historik që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Në ceremoni, ku morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, fituesi i këtij çmimi të veçantë Martti Ahtisaari, i cili ka kryesuar bisedimet për statusin, vlerësoi se me pavarësimin e Kosovës u përmirësua një gabim historik, njoftoi korrespondenti i Radio Televizionit të Kosovës nga Nju Jorku.
"Sot Kosova është shtet i pavarur dhe do të mbetet gjithmonë i tillë", tha Ahtisaari. Kryeministri shqiptar Berisha, në përshëndetjen e tij vlerësoi personalitetin e Ahtisaarit, ndërsa për pavarësinë e Kosovës tha se ajo ishte "fitorja më e madhe e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut".
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu falënderoi Ahisaarin për punën e tij si dhe vendet aleate mbështetëse të fuqishme të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë mbrëmje në mesin e qindra pjesëmarrësve ishin edhe ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe të Kosovës, Ilir Meta e Skënder Hyseni, ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ish-negociatori amerikan në bisedimet për Kosovën, Frank Wisner, kongresisti Eliot
Engel, zëvendësambasadorja amerikane në OKB, Rosemary DiCarlo, ish kryeadministratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen, ish-ambasadori amerikan, William Walker, etj.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan deri tani ka nderuar me çmimin e tij "Duart e Shpresës" personalitete të njohura si ish-presidentin Bill Clinton, ish-sekretarët amerikanë të Shtetit, James Baker dhe Madeline Albright, ish-senatorin Bob Dole, gjeneralin Wesley Klark, etj.