E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahtisari: Pakoja për Kosovën, nuk mund të hapet më

Prishtinë - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, i shoqëruar nga kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka pritur në një takim Presidentin Marti Ahtisari dhe ambasadorin Albert Rohan, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në ceremonitë e shënimit të njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Ishte kënaqësi për ne që bashkë me kryeministrin dhe kryetarin e Parlamentit të evokojmë zhvillime apo ngjarje nga procesi i gjatë por në të njëjtën kohë edhe të marrim këshilla me vlerë për ecjen e mëtejshme të Kosovës si një shtet i demokracisë moderne dhe i të gjithë qytetarëve”, theksoi Presidenti Sejdiu pas takimit. Ndërsa, Presidenti Ahtisaari, pasi shprehu kënaqësinë e tij që ndodhej në Kosovë, bashkë më ambasadorin Rohan, për të festuar vitin e parë të Kushtetutës së Kosovës, i përgëzoi liderët e vendit për punën e madhe që është bërë, punë kjo e cila sipas Presidentit Ahtisaari është bërë në pajtim të plotë me planin në të cilin e tij.

“Kishim një takim shumë të mirë me Presidentin, Kryetarin e Parlamentit dhe me Kryeministrin, në të cilin dëgjuam për progresin që është arritur në vend, dhe unë i përgëzova për punën e madhe që është bërë. Mendojë se puna është bërë në pajtim të plotë me planin në të cilin punuam bashkë”-theksoi Presidenti Ahtisaari. Ai ka vlerësuar anëtarësimin e Kosovës në FMN dhe në Bankën Botërore, si hapa shumë të rëndësishëm për të lehtësuar zhvillimin ekonomik në vend dhe për ardhjen e investimeve të jashtme.

“Absolutisht jo” është përgjigjur në vijim Presidenti Ahtisari në një pyetje nëse ekziston mundësia që, për shkak të kundërshtimit të serbëve, të rihapet dhe të rinegociohet Pakoja e tij për Kosovën. Pas takimit në kabinetin e Presidentit, në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, Presidenti Sejdiu e ka dekoruar Presidentin Marti Ahtisari me Medaljen e Artë të Pavarësisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›