Takimi i 40-të i Gjeçovit
Në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, ditën e shtunë, më 15 tetor, në orën 11, mbahet edicioni jubilar, i dyzeti me radhë, i manifestimit tradicional letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”.
Me këtë rast së pari (në orën 9 e 30 minuta) mbahet meshë kushtuar Atë Shtjefën Gjeçovit, të cilën e udhëheq imzot Hil Kabashi, ipeshkëv i Shqipërisë së Jugut, pastaj në orën 11 përurohet Qendra përkujtimore “Atë Shtjefën Gjeçovi”, për të cilën zymjanët kanë investuar mbi 150 mijë euro, kurse komuna e Prizrenit 63 mijë e 500 euro.
Në vazhdim shënohet 40 vjetori i këtij manifestimi, kurse më vonë mbahet Ora letrare e Anton Pashkut, ku krijimet e veta do t’i lexojnë 15 poetë.
Në vazhdim, sikurse edhe herëve të tjera, organizatori do të ndajë çmimet “Unaza e Katarina Josipit”, “Pena e Pjetër Bogdanit”, “Pena e Shtjefën Gjeçovit” dhe “Pena e Anton Pashkut”.