Ai me ministra, unë me presidentë
Njohja e 88-të për Kosovën e ka përplasur në distancë Kryediplomatin serb, Vuk Jeremicin me Zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli.
Ministri i Jashtëm i Serbisë ka thënë se njohja nga Uganda nuk i ka ardhur Kosovës, pasi nota verbale nuk ka ardhur përmes diplomacisë së Kampalës.
"Kjo më është thënë direkt nga Ministri i Jashtëm i këtij shteti, Okello Oryem", ka thënë Jeremic.
Sipas tij, me Ugandën, Prishtina ka vepruar ngjashëm si me Nigerinë dhe Republikën e Afrikës Qendrore, që gjithashtu, sipas tij, nuk e njohin Kosovën.
Por reagimi i Zëvendëskryeministrit ka qenë i menjëhershëm.
Behgjet Pacolli i ka quajtur deklaratat e zyrtarit serb si disfatiste, që vijnë nga një njeri i cili nuk mundet asnjëherë të kapërcejë ministrat e jashtëm.
Ai ka thënë se njohja është e pastër dhe e nënshkruar nga njeriu i parë i Ugandës.
“Jeremici gjithmonë ka lobuar te ministrat dhe s`ka shkuar më larg. Njohja e Ugandës ka ardhur e nënshkruar prej Presidentit, sikurse edhe krejt njohjet që kanë ardhur prej presidentëve në vendeve të ndryshme”, ka thënë Pacolli, për Express, të dielën.
Megjithëkëtë, Pacolli ka thënë se në diplomacinë e Ugandës ekzistojnë disa probleme, por se nuk janë të lidhura me njohjen e Kosovës.
“Ai ka thënë për çdo shtet ashtu, ai ka paralajmëruar se do të tërhiqen edhe shtetet e tjera. Unë nuk isha marrë me atë punë shumë. Ne e kemi njohjen komplet të nënshkruar prej Presidentit të Ugandës. Është shumë e vërtetë që atje ekziston një problem se ka ardhur edhe te ndërrimi i Ministrit të Punëve të Jashtme”.
Fitorja më e madhe e Ministrit të Jashtëm të Serbisë në raport me Kosovën ka qenë në Asamblenë e OKB’së, më 30 shtator 2008, ku pati arritur të shtyjë një rezolutë, me të cilën kërkonte nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mendimin rreth ligjshmërisë së pavarësisë. Kjo fitore nuk i kishte zgjatur shumë, pasi në korrik të vitit 2010, GJND’ja konstatoi se shpallja e pavarësisë nuk kishte rënë ndesh me ligjet ndërkombëtare.
Këto fakte i përmend edhe Pacolli, i cili thotë se Jeremici për çdo ditë po pëson disfata dhe përmes deklaratave po provon të ringjallet.
“Ai është duke bërë një luftë të madhe kundër neve dhe gjithmonë ka pasur disfata të përditshme. Ku ka shkuar në raport me mua, ka pasur disfatë, e edhe prej prezencës sime në Kombet e Bashkuara e më tutje. Por, s’e kam ndërmend të merrem me te”, ka thënë Pacolli.
Nota verbale nga Uganda është publikuar në Prishtinë, nga Zyra e Pacollit, në katërvjetorin e shtetësisë, në të cilën Presidenti i Ugandës, Yoweri Kaguta Museveni shkruan se shteti i tij u bashkohet vendeve të tjera që e kanë njohur Kosovën.
“Dhe, bën thirrje për krijim të marrëdhënieve diplomatike si akti më sublim i njohjes mes dy shteteve”, thuhet në notën verbale, të nënshkruar nga Presidenti i Ugandës.
Pacolli sqaron se njohjen nga Kampala e kanë pasur edhe më herët, por se origjinali i notës verbale ka ardhur më 17 shkurt.
“Njohjen e kemi pasur moti, por e kemi pritur origjinalin dhe origjinali ka ardhur pardje në zyrën tonë. Ne e kemi origjinalin e letrës me vulë të Presidentit që ka ardhur prej Zyrës së Presidentit”, ka deklaruar ai.
Megjithëkëtë, zëvendësi i Thaçit në Qeveri thotë se këtë javë do të ketë lajme të këqija për Jeremicin sa i përket Kosovës.
“Do të ketë lajme të mira për Kosovën këtë javë. Ne po i presim krejt lajmet e mira. Jam duke punuar shumë, por nuk dua të përmend emra, e as numra të shteteve”, ka thënë Pacolli.
Lideri i AKR’së prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës merret me procesin e njohjeve për Kosovën. Derisa ishte në opozitë, shumë herë është përplasur edhe me ish-Ministrin e Jashtëm, Skënder Hysenin, për sa u përket meritave për njohjet që i kanë ardhur Kosovës.
As në kohën kur është pjesë e Qeverisë aktuale, nuk e ka lënë pa pasur kundërshti me Kryediplomatin Enver Hoxhaj.
Burime nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se Ministria e Jashtme ditë më parë publikoi një njohje nga Haiti, vend i Karaibeve, në gjysmë të natës, nga frika se një gjë të tillë mund ta bënte Zyra e Pacollit, para asaj të Hoxhajt.