"Kosova kundër kandidaturës së Serbisë"

“Serbia është fajtore për mossuksesin në dialog”, citojnë mediat serbe letrën e Prishtinës, të dërguar vendeve anëtare të BE-së, të cilat në fund të shkurtit duhet të vendosin për kandidaturën serbe.
“Në letër thuhet se është arritur përparim i kufizuar në dialog dhe theksohet mungesa e zbatimit të marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Ivica Dacic.
Ai është shprehur se përmes letrës i bëhet thirrje vendeve anëtare që ta kenë parasysh këtë, kur të diskutojnë vendimin për dhënien e kandidaturës Serbisë në fund të këtij muaji.
Dacic e ka quajtur këtë letër presion mbi Beogradin dhe sipas tij me këtë Prishtina ka treguar se nuk dëshiron kompromis me Serbinë.
Në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, iu bëri thirrje publikisht vendeve të BE-së, që të mos e shpërblejnë Serbinë me statusin e kandidatit, ndërkohë që po ngec në zbatimin e marrëveshjeve dhe po mbështet edhe më tej “strukturat kriminale në veriun e Kosovës”. (REL)