Aide-mémoire për ndërkombëtarët
KOSOVA
Pyetja, nëse po shkohet drejt ndarjes së Kosovës, ka tashmë disa ditë që po shqetëson mjediset shqiptare, qofshin këto politike, diplomatike apo mediatike. Dhe zanafilla e një pyetjeje kaq të mprehtë dhe kaq gërryese, vjen e ngrihet në një moment të veçantë, sikurse është propozimi i planit 6 pikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, zotit Ban Ki Moon. Ky plan, përveç të tjerave, parashikon një polici të pavarur nga Qeveria e Prishtinës për enklavat serbe, një sistem drejtësie, gjithashtu, të ndryshëm e të pavarur nga sistemi i drejtësisë së Kosovës dhe, gjithashtu, dogana të pavarura për Serbët e veriut, të ardhurat prej të cilave do të duhet të menaxhohen nga ata vetë.
Ky plan i z. Moon, është negociuar me Qeverinë e Beogradit dhe është pranuar nga kjo e fundit. Kjo është krejt normale po të kihet parasysh fakti që përmbajtja e planit ngjan si dy pika ujë me planin që qeveria e z. Koshtunica propozoi në ditët që pasuan pavarësinë e Kosovës.
Si çdo aktivitet njerëzor, edhe ky plan ka arsyet e tij të të ekzistuarit. Apo thjesht qëllimet. Këto mund të jenë disa, në fakt. Ndër to, qëllimi i dukshëm, apo të paktën ai i deklaruar, ështështrirja e misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës. Dhe mua do të më pëlqente të besoja se është ky qëllimi i vetëm. Nuk dua të çoj aspak në mendje ndonjë qëllim tjetër që lidhet me vazhdimin e trajtimit të Kosovës nëpërmjet rezolutës 1244, në thelb të së cilës mbetet sovraniteti serb mbi Kosovë. As nuk dua të mendoj se kjo është një përpjekje për ta çuar Kosovën në një ndarje, tashmë, edhe de jure. Sigurisht, nuk se mëndja më thotë se ky plan koncension për Serbinë, mund të jetë veçse një “karotë” për Serbët për të pranuar EULEX-in, duke lejuar liderët serbë, në të njëjtën kohë, ta kenë më të lehtë me opinionin e brendshëm që mund t’i akuzojë për shitje të Kosovës.
Por, le të mbetemi tek qëllimi kryesor, e la ta marrim atë të mirëqenë: OKB-ja synon thjesht dhe vetëm shtrirjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe vetëm kaq. Por ky plan, në kundërshtim me qëllimin e tij, është në një kontradiktë të hapur me disa çështje themelore, të cilat do të duhet të merreshin parasysh. Ai fillon me “këmbën e gabuar” në tri momente kyçe, mosmarrja parasysh e të cilave do të çonte, minimalisht, në dështim të çdo orvatjeje të ngjashme. Dhe këto janë: Përmbajtja e planit, negocimi i tij dhe pasojat që do të mund të sillte për Republikën e Kosovës, por edhe për rajonin më gjerë. Le t’i marrim me radhë;
Për sa i takon përmbajtjes, plani i z. Moon, vjen në një kundërshtim të hapur me shumicën e dokumenteve të miratuara nga komuniteti ndërkombëtar, gjatë gjithë këtyre viteve të trajtimit të çështjes së Kosovës dhe sidomos me dokumentet që kanë lidhje me statusin e saj.
Vijon