Dosja e prokurorisë për Lulzim Bashën
Ministri Basha, në Prokurori për 4 akuza
Prokuroria: Ministri Lulzim Basha akuzohet edhe për korrupsion pasiv dhe presion tek vartësit
TIRANË- Në kohën kur ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, po takohej me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel, në shtëpinë e tij në Tiranë ka mbërritur fletë-thirrja e Prokurorisë së Përgjithshme, për t’i komunikuar akuzat. Ndryshe nga ç’pritej, prokurori i çështjes duket se ka siguruar prova që e implikojnë ministrin tonë të Jashtëm jo në një, por në katër akuza për abuzimet marramendëse në rrugën Rrëshen-Kalimash. Prokurori i çështjes, Arben Kraja, pas hetimeve 21- mujore të grumbullimit të provave dhe materialeve shkresore ka arritur në përfundimin se ish-ministri i Transporteve, Basha, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar katër veprave penale: “shpërdorim të detyrës”; “shkelje të barazisë së pjesëmarrës në tenderë apo ankande publike”; “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Akuza e fundit penale kundër tij, sipas prokurorisë është ngritur pasi Lulzim Basha, në kohën që ishte ministër i Transporteve, ka detyruar vartësit e tij të favorizojnë me të gjitha mundësitë e mundshme kompaninë që u shpall fituese për ndërtimin e rrugës Rrëshen – Kalimash, “Bechtel Inc.-Enka”. Pas analizës së dosjes, të kryer paraditen e djeshme nga grupi hetimor, është arritur në përfundimin se: “ish-Ministria e Transporteve, e drejtuar nga deputeti pa imunitet, Lulëzim Basha, gjatë procedurave të ndjekura për përzgjedhjen e firmës që do ndërtonte segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, gjatë procedurave të ndjekura për lidhjen e kontratës me subjektin fitues ka konsumuar elementë të katër veprave penale”. Sipas këtyre burimeve mësohet se në rast se ministri i pandehur deklarohet fajtor nga Gjykata e Lartë për këto vepra penale, rrezikon dënimin me gjobë dhe burg nga 3 vjet deri në 12 vjet heqje lirie. Burimet pranë akuzës konfirmuan se ish-ministri i Transporteve, Basha, këto vepra penale i ka konsumuar në bashkëpunim me ish-drejtorin Juridik të Ministrisë që ai drejtonte, Andi Toma.
Prokuroria e Përgjithshme ka nisur dy ditë më parë fletë-thirrjet për t’u paraqitur pranë organit të akuzës të enjten në ora 14:00 në adresën e Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, ku pasi të merren në pyetje për të fundit herë, do t’iu komunikohen akuzat për skandalin financiar në rrugën Durrës-Kukës. Ndërkaq, pas dërgimit të kësaj fletë-thirrjeje, ministri i Jashtëm nuk ka reaguar, duke u mjaftuar me deklaratat e avokatit të tij mbrojtës Zef Nikaj që e ka cilësuar vendimin e Prokurorisë si një vendim me prapavijë politike dhe të jashtëligjshëm. “Prokuroria e Përgjithshme, me vendimin e djeshëm, ka treguar edhe njëherë se nuk respekton ligjet dhe shkel vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ku pak ditë më parë është marrë vendim nga kjo gjykatë për mos pranimin e vendimit për zgjatjen e afateve hetimore”,-tha avokati Nikaj. Përveç deklaratave kundërshtuese në media, avokati Nikaj ka depozituar pasditen e djeshme një memorie të firmosur nga ai në lidhje me pretendimet e prokurorisë për ngritjen e akuzave ndaj klientit të tij Basha, ku i kundërshton ato dhe i cilëson si vendime tendencioze.
Abuzimet me çmimet e rrugës më të kushtueshme në historinë e Shqipërisë
Rrëshen-Kalimash, një km kushton 12 mln euro
TIRANË- Shkelja e parë që kanë konstatuar hetuesit e Prokurorisë së Përgjithshme në procedurat e tenderit, është gjuha me të cilën është hartuar dokumentacioni. Burimet nga akuza sqarojnë se edhe pse ndërtimi i rrugës financohet nga qeveria shqiptare, dokumentacioni i tenderit ka qenë i gjithi në gjuhën angleze. “Nga pesë ekspertë të përcaktuar për të zhvilluar procedurat e tenderit, katër prej tyre ishin të huaj dhe vetëm njëri prej tyre ishte shqiptar. Dhe ky i fundit kishte dhënë dorëheqjen, pasi nuk e kuptonte se çfarë ishte shkruar në dokumentacion”,-thuhet nga akuza. Nga shqyrtimi i dokumentacionit që shpallte fituese firmat “Bechtel” (SHBA) dhe “Enka” (Turqi) është vërejtur se mungonte projekti i ndërtimit të rrugës. Përveç kësaj, qeveria shqiptare i ka lëshuar firmave në fjalë rreth 27 % të shumës fillestare prej 418 milionë euro që u parashikuan për ndërtim, në një kohë kur ligji i prokurimeve publike thotë qartë se nuk duhet paguar mbi 10 % të shumës si parapagim. Ndërkohë, një shkelje e rëndë është lejuar nga institucionet shtetërore, duke pranuar fillimin e punimeve kur firmat ndërtuese të rrugës nuk kishin paguar garancinë e kontratës, të parashikuar në ligjin e prokurimeve. Duke vazhduar me shkeljet e tjera, si ajo e rritjes së financimit për ndërtimin e rrugës nga 418 milionë në rreth 700 milionë euro, rritje këto të cilat gjithashtu janë miratuar me nxitim nga qeveria pa pasur në tryezë një projekt përfundimtar të këtij segmenti rrugor. Burime pranë organit të akuzës u shprehen se fondi prej 700 milionë eurosh, nuk është përfundimtari, pasi ende nuk ka një projekt përfundimtar të ndërtimit të këtij segmentit rrugor prej 57 km. Kështu që, nuk përjashtohet mundësia që vlera të vazhdojë të rritet akoma. Duke pasur parasysh vlerën prej 700 milionë eurosh dhe gjatësinë e segmentit Rrëshen-Kalimash, që është 57 kilometra, rezulton se një kilometër rrugë i këtij segmenti kushton rreth 12 milionë euro.
SHKELJET E BASHËS
1- Përzgjedhja pa konkurrim e Ecorys Group
2-Kontrata për ta paguar 95 mijë USD më shumë
3-Katër vendimet e qeverisë, të iniciuara nga Basha
4- Komisioni ndërkombëtar, pa shqiptar
5- Modeli ndërkombëtar FIDIC, i pazbatuar
6- Mungesa e ofertave nga firmat e huaja në tender
7- Mungesa e një projekti përfundimtar
8-Mungesa e një fondi limit
9-Çmimet e aplikuara në kontratë për njësi
10-Shtimi i 8 kilometrave rrugë në kontratë
11- Pagesa e infrastrukturës, 10 % të shumës së kontratës
12-Çmimet e betonit, sa 2-fishi i tregut shqiptar
13- TVSH është marrë përsipër nga shteti shqiptar
14- Konflikti i interesit të “Ecorys Group”
15- Refuzimi për të dëshmuar në prokurori
DEKLARIMET NË PROKURORI
Lejla Saraçi
“Lidhur me këto VKM deklaroj se ato janë iniciuar vetëm nga ana e Ministrisë së Punëve Publike dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve kanë ardhur vetëm vendimet e Këshillit të Ministrave pasi ato kanë kaluar të gjitha fazat dhe janë miratuar. Pra me procedurat e këtyre VKM Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk është angazhuar fare. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve ka qenë vetëm inxhinieri Ylli Gjoni, i cili ka qenë emëruar me gojë nga Ministri për të qenë person kontakti përfaqësues i DPRR për këtë projekt investimi. Ai vetëm ka qenë në dijeni për gjithçka ndodhte, por nuk ka pasur asnjë kompetencë kontrolluese ose vendimmarrëse.”
Ylli Gjoni
I pyetur si deklarues, zoti Ylli Gjoni ka thënë se projekt vendimet e Këshillit të Ministrave janë iniciuar nga Ministria e Punëve Publike, por nuk sqaron se cili ka qenë personi konkret në këtë Ministri i ngarkuar me këtë detyrë.
Andi Toma
Zoti Andi Toma, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Juridike në Ministri, i pyetur si deklarues shpjegon një situatë krejt tjetër. Ai deklaron se “… në rastin konkret gjykoj se projekt vendimet së bashku me relacionet përkatëse janë servirur nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe janë punuar nga Drejtoria e Shërbimeve Juridike, ku unë kam ushtruar detyrën e drejtorit.”
Akt-akuza e Prokurorisë së Përgjithshme, për përgjegjësitë e ministrit Lulzim Basha në procedurat e tenderit
Durrës-Kukës, abuzimet që “lidhën” kontratën me “Bechtel”
TIRANË- Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, akuzohet nga Prokuroria e Përgjithshme se ka ‘monopolizuar” të gjitha procedurat e tenderimit të rrugës Durrës-Kukës, duke diktuar preferencën e tij për kompaninë “Bechtel-Enka”. Gjatë hetimit të kryer, organi i akuzës ka zbuluar një numër të pafundmë shkeljesh, duke filluar që nga vendimet e Këshillit të Ministrave, tek zgjedhje e konsulentit “Ecorys” e deri tek lidhja e kontratës me fituesen “Bechtel”, një kontratë aspak favorizuese për buxhetin e shtetit. “Shekulli” boton sot një pjesë të akt-akuzës së Prokurorisë, ku renditen shkeljet kryesore në të ashtuquajturin skandali i rrugës Durrës-Kukës.
Bazuar në hetimet e kryera nga Prokuroria e Përgjithshme është arritur në konkluzionin se gjatë procedurave të ndjekura për përzgjedhjen e firmës që do ndërtonte segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, gjatë procedurave të ndjekura për lidhjen e kontratës me subjektin fitues dhe gjatë zbatimit të kësaj kontrate, punonjës të administratës shtetërore kanë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Mbi këtë bazë janë marrë të pandehur disa zyrtarë të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Nga Prokuroria e Tiranës është arritur gjithashtu në konkluzionin se përgjegjës për shkeljet e konstatuara është edhe ish-Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe njëkohësisht deputet, zoti Lulzim Basha. Segmenti rrugor Rrëshen-Kalimash përbën pjesën qëndrore të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor është parashikuar të realizohet totalisht me fonde buxhetore. Kjo rrugë, sipas projekt-idesë së hartuar pas lidhjes së kontratës dhe fillimit të punimeve, është parashikuar të jetë 65.1 km i gjatë dhe është ndarë në tre segmente të vecanta.Rrëshen-Reps 19 km;Reps-Thirra 27 km; Thirra-Kolsh 19.1 km, nga të cilat 5.6 km tunel. Përgatitja e procedurave të përzgjedhjes së firmës që do të ndërtonte rrugën, shpallja e firmës fituese, përgatitja e projekt --kontratës dhe negociimi i çmimeve të saj janë bërë nga shoqëria “Ecorys Group”, me qendër në Rotterdam të Hollandës, e cila bazuar në VKM Nr.481 datë 14.06.2006 i ka rekomanduar Drejtores së Përgjithshme të Rrugëve shpalljen fitues dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë e përbashkët amerikano-turke “Bechtel Inc.-Enka”. Kontrata është lidhur me datën 06.10.2006.
Gjatë procedurave të përshkruara më sipër janë konstatuar shkelje të shumta ligjore, të cilat kanë sjellë humbje të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.
1. Janë miratuar nga Këshilli i Ministravegjashtë vendime. Nga verifikimet e kryera në Qëndrën e Publikimeve Zyrtare rezulton se nga Këshilli Ministrave janë dërguar për botim dhe janë botuar në Fletoren Zyrtare vetëm vendimet Nr.526 dhe Nr.651, pra vendimi që cakton anëtarët e komisionit që do përzgjedhë firmën fituese dhe vendimi që miraton kontratën me sipërmarrësin, ndërsa kontrata nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare. Mospublikimi i këtyre vendimeve është një veprim në kundërshtim me nenin 117/1 të Kushtetutës ku thuhet se aktet normative të Këshillit të Ministrave marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare.
2. Përzgjedhja e konsulentit “Ecorys Group” është bërë në shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi. Përzgjedhja e tij ka qënë e paracaktuar nga zoti Lulëzim Basha. Ky subjekt është favorizuar duke u shpallur fitues pa konkurim dhe nga ana tjeter është favorizuar duke e paguar më shumë se kishte kërkuar vetë ai.
3. Procedura e ndjekur për përzgjedhjen e firmës fituese për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe lidhja e kontratës me këtë firmë për zbatimin e punimeve është kryer me shkelje të shumta ligjore, duke favorizuar subjektin sipërmarrës. Shkeljet e konstatuara kanë sjellë dhe dëme te konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit. Nga hetimi është provuar se shoqëria konsulente ka patur konflikt interesi me shoqërinë Bechtel-Enka, të cilën e ka rekomanduar si fituese. Rezulton se shoqëria “Ecorys Group” në bashkëpunim me shoqërinë “Parsons Brinckerhoff” janë aktualisht konsulentë dhe i ofrojnë asistencë teknike Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. Rezulton se shoqëria “Parsons Brinckerhoff” është një shoqëri që ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me shoqërinë Bechtel Inc. për punime civile të kryera në qytetin Boston të SHBA. Gjatë periudhës që shoqëria konsulente po kryente procedurat e përzgjedhjes dhe negociimit të kontratës me shoqërine Bechtel, ajo ka qënë njëkohësisht së bashku me shoqërinë “Parsons Brinckerhoff” duke konkuruar në zyrat e Delegacionit Europian në Tiranë për të fituar të drejtën e konsulentit në Ministrinë e Punëve Publike e Transportit.
4. Bazuar në hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se çmimet për njësi të vendosura në kontratë janë propozuar nga shoqëria sipërmarrëse dhe janë pranuar nga investitori si “të arsyeshme dhe të ndershme” pa u ndryshuar fare. Ky fakt konfirmohet nga raporti përfundimtar i shoqërisë konsulente Ecorys Group. Në pikat 25, 26 dhe 27 të “Transaction Report” (pregatitur nga Ecorys Group) thuhet se i është kërkuar shoqërisë sipërmarrëse të paraqesë çmimet për njësi dhe një vlerë të synuar për përfundimin e punimeve. Çmimet e paraqitura dhe vlera e synuar i janë nënshtruar një vlerësimi nga shoqëria sllovene DDC, e cila në përfundim ka vlerësuar se janë të ndershme dhe të arsyeshme duke patur parasysh dhe mungesën e projektit. Mbi këtë bazë janë pranuar në kontratë çmimet për njësi dhe vlera e synuar që ka propozuar sipërmarrësi. Pra rezulton se kemi “negociim të çmimeve”, duke pranuar pa ndryshuar asnjë nga çmimet e paraqitura nga sipërmarrësi. Edhe këtu duket hapur favorizimi që i është bërë subjektit sipërmarrës.