E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikonte kalimtarët, shembet banesa e vjetër

Gjirokastër- Shembet muri anësor i një banese të vjetër në Gjirokastër, që rrezikonte jetën e kalimtarëve. Prej disa vitesh, përveçse një banesë gërmadhë ishte kthyer në rrezik për kalimtarët. Pasi i mori jetën një 67-vjeçareje që banonte në të, shtëpia tre shekullore e Pumove në lagjen Pazar i Vjetër në qytetin e Gjirokastrës, vazhdonte të mbartte një shkallë të lartë rrezikshmërie për të gjithë personat që banonin aty rrotull.

Në këto kushte, aksioni i specialistëve të monumenteve i ndërmarrë prej disa kohësh për prishjen e pjesëve të rrezikshme të banesave të vjetra e të braktisura nga pronarët, është përqendruar në këtë shtëpi. Sot ata kanë prishur murin kryesor, që ishte pothuajse i rrëzuar dhe që njëkohësisht përbënte rrezik mjaft evident për banorët e zonës, që përshkonin rrugën në të cilën ndodhet.

“E kemi ndërmarrë këtë aksion në kuadër të ndërhyrjeve që po kryhen në të gjitha banesat problematike. Për momentin shkallë rrezikshmërie më të lartë ka muri kryesor, ndaj edhe puna jonë është përqendruar aty”, është shprehur drejtori i monumenteve të kulturës, Spartak Drrasa. Kjo është e pesta banesë në zonën muzeale të Gjirokastrës ku është ndërhyrë brenda një kohe të shkurtër për shmangien e fatkeqësive të mundshme, pas shtëpive të Koloit, Gurgait, Kokobobos dhe Çabej.

Shtëpia trikatëshe e familjes së njohur gjirokastrite Pumo, me një moshë rreth 300 vjeçare, për shkak të mungesës së restaurimeve u rrënua gradualisht, deri në shembjen e saj të madhe. Në muajin mars të vitit 2004, çatia e kësaj shtëpie u rrëzua, duke i marrë jetën një të moshuare 67-vjeçare që banonte aty, ndërsa nipi i saj vetëm 7-vjeçar shpëtoi për mrekulli. Ajo përbën edhe njërën prej shembujve më të qartë të degradimit të përditshëm të banesave të vjetra karakteristike në Gjirokastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›