KE: Shtetasit serbë, pa viza në Europë
Dy ditë para zgjedhjeve presidenciale, BE nxit bashkëpunim me Serbinë
Ndërsa Shqipëria është mbërthyer nga frika e vendosjes së vizave nga ana e autoriteteve maqedone dhe liberalizimi i padukshëm për të qarkulluar në Europë, Komisioni Europian premtoi heqjen e vizave për shtetasit serbë që duan të udhëtojnë në BE. Sipas lajmit të transmetuar nga agjencitë, Komisioni Europian ka vendosur të fillojë bisedimet mbi lejimin e shtetasve serbë që të udhëtojnë në vendet e BE-së pa viza. Negociata të ngjashme pritet të fillojnë edhe me vende të tjera ballkanike, shumë shpejt. Pjesa më e madhe e serbëve duan të jenë pjesë e BE me shpresën se do të lëvizin lirshëm në pjesën tjetër të Evropës, siç bënin edhe më herët, para rënies së Jugosllavisë në vitet '90. Një zëdhënës për KE tha se bisedimet për çështjen e vizave do të fillojnë nga fundi i janarit, ndërsa për vendet e tjera ballkanike do të pasojnë në javët dhe muajt e ardhshëm. Serbia, tha ai, teknikisht ishte më përpara dhe së shpejti do të prezantonte pasaporta biometrike. Por, vendimi vjen ndërsa Serbia qëndron në udhëkryq. Të dielën, ata duhet të zgjedhin midis Presidentit pro-perëndimor, Boris Tadiç dhe rivalit të tij ultranacionalist, Tomislav Nikoliç, i cili thotë se Beogradi po poshtërohet nga Brukseli, pasi pjesa më e madhe e vendeve të BE përkrahin pavarësinë e Kosovës. Për t'i dhënë zotit Tadiç më tepër shtysë, Sllovenia, që ka Presidencën e BE, kërkon që të nënshkruajë një marrëveshje para-anëtarësimi me Serbinë nga fundi i muajit tjetër, para raundit thelbësor të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Por Holanda është kundër, derisa Beogradi të dorëzojë të kërkuarin për krime lufte, Ratko Mladiç, në Hagë.