E Diel, 1 Nëntor 2026

Ajet Nallbani: Si i shpëtoi Muzeu Etnografik i Beratit tranzicionit shqiptar

Muzeu Etnografik është pjesë e korpusit të vlerave kulturore e historike të qytetit-muze të Beratit. Ky muze është organizuar në vitin 1979 në një nga banesat me arkitekturë popullore beratase. Muzeu ndodhet në lagjen "13 shtatori", shumë afër qendrës së qytetit. Kjo bën të mundshme shumë lehtë komunikimin me turistët vendës e të huaj apo dhe nxënësit e shkollave. Por mungesa e fondeve financiare ka bërë që disa nga pasuritë e kulturës sonë tradicionale popullore të pësojnë dëmtime. Ajet Nallbani, menaxheri i këtij muzeu, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" është shprehur se e vetmja shpresë e ruajtjes së këtyre vlerave është financimi i projekteve nga donatorët e huaj.
Çfarë përfaqëson objekti ku sot ndodhet Muzeu Etnografik?
Objekti është një nga shtëpitë karakteristike dhe interesante të qytetit. Banesa ka qenë pronë e familjes Llavda, banesë që më pas ka kaluar te pronarë të tjerë. E restauruar mjaft mirë, u pa e arsyeshme që të kthehej në muze etnografik. Kthimi i saj në një muze etnografik ia rriste vlerat dhe i jepte qytetit të Beratit një resurs të ri për trashëgiminë, duke i shërbyer edukimit të brezave dhe zhvillimit të turizmit. Është ndërtim që i përket fillimit të shekullit 18-të, me ndërhyrje të mëvonshme. Gjendja që shohim sot u përket ndryshimeve të shekullit 19-të. Të tilla shtëpi në Berat ndërtonin familjet e mesme dhe të pasura apo autoritetet e qytetit, që ishin kryetarë esnafësh, kryetarë të feve, tregtarë, qeveritarë, ushtarakë të lartë etj. Në këto familje bëhej një jetë pak a shumë patriarkale, ku jetonin së bashku disa breza, gjyshi, prindërit, fëmijët, nipërit.
Çfarë përfaqësojnë këto vlera dhe cilat janë llojet e tyre?
Janë mbi 1000 objekte muzeale. Ky tip banese është ndërtuar kryesisht nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytet me rentën feudale. Banesa është dykatëshe, me çardak në një krah. Kati përdhe, hajati, është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri njëfishe të ndërtuar mbi qemerë guri. Koha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Është pjesë e krijimtarisë popullore, e ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrat popullorë. Vëmendja kryesore në këtë banesë u kushtohet volumeve të hapura të hajatit dhe çardakut. Kjo banesë është e pajisur me orendi të palëvizshme që shërbejnë për ruajtjen e objekteve shtëpiake, si kamare, sergjenë, dollapë muri, musëndër-mafil, pus, oxhakë etj. Kjo ndërtesë ka disa dhoma që shërbenin për ndejtje, punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Mjediset e këtij muzeu dallojnë për kombinimin natyror me objekte masive muzeale. Krahas pusit, është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që e shtrydh ullirin për nxjerrjen e vajit. Gjithashtu ka shumë enë masive qeramike që kryesisht përdoreshin për mbajtjen e lëngjeve. Imitim i një pazari mesjetar në qytetin e Beratit. Në qendër kalon rruga dhe në të dyja anët e saj janë dyqanet me qepena të qëndistarëve, kazanxhinjve, opingarëve, xhokaxhinjve dhe kujunxhinjve. Dyqanet ndaheshin sipas zejeve, nuk kishte ndarje sipas besimeve. Shpesh dyqanet e artizanëve të feve të ndryshme ishin pranë njëri-tjetrit dhe respektonin festat duke këmbyer dhe dhurata festive. Por, ndodhte që një zeje e trashëgonin më shumë myslimanë ose kristianë, si p.sh. zeja e tabakëve pothuajse ishte e gjitha e myslimanëve të lagjes "Çelepias", zeja e xhokaxhinjve pothuajse e gjitha e kristianëve. Kishte dhe zeje të përziera, si rrobaqepës, marangozë, bojaxhinj etj. Pazari mesjetar, me zejet dhe objektet e shumta të ekspozuara, si: veshje të burrave dhe grave të qëndisura me figura në ar dhe argjend, kryesisht nëpër veshjet e grave. Ka veshje të burrave dhe grave të zonës malore, objekte dhe elementë të shumëllojta zbukurimi, serviset e bakrit etj. Në vitin 1670, studiuesi turk Evlia Çelebiu që kishte shëtitur gjithë Europën, mbeti i befasuar nga traditat dhe kultura e trevës së Beratit dhe në veçanti nga qëndismat e veshjeve të grave, të cilat dilnin nga duart e djemve të rinj. Figurat e krijuara, ishin kryesisht ato të luleve dhe gjetheve të marra nga natyra përreth. Po aq interesante janë dhe zbukurimoret me metale të çmuara, ku shkëlqen puna në filigran. Befasuese janë dhe punimet në relief mbi enët e përdorimit të përditshëm.
Po dhomat e tjera?
Dhomat e tjera janë dhoma në përdorim të djemve, vajzave apo dhe çiftit të ri, por organizimin në muzeun etnografik e kanë si dhoma pune për gratë, tjerrje leshi, tezgjah etj., punë të cilat gratë i kryenin në shtëpi, se morali i kohës nuk lejonte që gratë dhe vajzat të dilnin në dyqan apo në fushë, puna jashtë bëhej nga meshkujt, prandaj dhe shumë zeje qëndistarësh realizoheshin nga djem të rinj 15-16 vjeç që shërbenin si çirakë. Në një dhomë të veçantë është organizuar një dhomë miqsh në fshat. Ajo ka shtresa, sofrën me shilte, enët e nevojshme për shërbime, makinë grirëse, duhane etj. Këtu shprehet mënyra e jetesës në periferinë e Beratit, që prezantohet vetëm me një ambient, për arsye të mungesës së vendit. Ambientet e tjera janë kuzhina dhe dhoma e miqve. Kuzhina është e vendosur në pozicionin qendror, midis dhomës së fshatit dhe asaj të qytetit. Kjo kuzhinë është interesante, për faktin se ndriçimin e merr nga sipër, nga baxhoja, që në vetvete përfaqëson një zgjidhje të shkëlqyer arkitektonike, për vetë faktin se pozicioni i kësaj dhome nuk mund të përballohet me ndriçimin indirekt. Në kuzhinë janë vendosur të gjitha enët e përdorimit të përditshëm mbi sergjenet dhe te vatra. Dhoma e miqve është ambient karakteristik, që e merr ndriçim të plotë nëpërmjet shumë dritareve dhe ka një mafil funksional. Kjo dhomë e kompletuar me oxhakun tepër interesant, me dy kamare anësore dhe me vatër tipike, me musendër dhe me dollapë muri, flet për një traditë të veçantë të ndërtimit dhe banimit në periudhën e Mesjetës së vonë. Në qendër të kësaj dhome është vendosur sinia e madhe e punuar në reliev, sipër saj janë vendosur kompleti i ushqimit, që është shumë i bukur dhe funksional. Në mafilin e kësaj dhome qëndronin gratë e shtëpisë kur miqtë nuk ishin të afërm të familjes dhe nuk ishte në moralin e kohës ekspozimi ndaj të panjohurve. Kur miqtë ishin të afërm, gratë merrnin pjesë së bashku dhe në mafil qëndronin arapkat (shërbyeset) ose fëmijët, të cilët i kishin të gjitha kushtet e domosdoshme për të qëndruar atje, duke marrë pjesë në ceremoni, pa u parë nga miqtë, të cilët pengoheshin nga kafazi i drunjtë që mbyllte dritaret e mafilit. Nëpërmjet dritareve me grila druri gratë ndiqnin gjithë veprimtarinë e burrave. Ndërsa burrat nuk kishin mundësi për t'i parë ato.
A janë të mjaftueshme këto ambiente?
Duke qenë se nahijet e Beratit janë shumë të pasura me etnografi dhe janë të larmishme dhe të dallueshme njëra nga tjetra, në të ardhme do kërkoj zgjerimin e këtij muzeu për të prezantuar ato vlera që për arsyet e lartpërmendura rrinë në fonde.
Ka dëmtime të objektit të Muzeut Etnografik? Nëse po, kush është pjesa më e dëmtuar?
Muzeu Etnografik, gjatë viteve të tranzicionit, është ballafaquar me vështirësitë e kohës, duke u akumuluar nevoja për ndërhyrje restauruese, si dhe përmirësimin e eksponateve, me qëllim prezantimin sa më mirë të trashëgiminë kulturore të dhuruar nga të parët tanë. Edhe pse këto në një farë mase kanë munguar, muzeu ka mbijetuar nën kujdesin e stafit, por ka ardhur koha e një ndërhyrjeje për restaurimin, rikompozimin, restaurimin e fondit dhe eksponateve, përmirësimin e infrastrukturës së muzeut, ku bëjnë pjesë dhe ambientet e shërbimit dhe tualetet. Mungesa e fondeve ka akumuluar mjaft punë, si studimore, ashtu dhe konsoliduese për pasurinë qe ka ky muze.
Ka dëmtime, dhe a ka pasur projekte për restaurimin e vlerave që ndodhen brenda tij?
Me projektin ndërkombëtar "IPA Muzeum kultur", fatmirësisht partnerë të të cilit jemi dhe ne, kemi hartuar një sërë projektesh për ndërhyrje, duke shpresuar se muzeu do të plotësohet me nevojat kryesore dhe do të rregullohet mirë infrastruktura, botimet, guida bashkëkohore, sinjalistika, si dhe ekspozimet e lëvizshme, për ta bërë sa më të njohur muzeun, për të rritur numrin e vizitorëve dhe për prezantimin e vlerave të trashëguara. Dëmtime ka në punimet tekstile dhe ato në dru, por në restaurimet që mendojmë të planifikohen në këtë projekt janë dhe ndërhyrjet me specialistë për dëmtimet natyrale apo nga brehejtësit e punimeve në tekstil ashtu dhe pjesët e drunjta.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›