E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ dënon sulmet vdekjeprurëse në Turqi: Solidaritet për popullin turk

TIRANE - Ministria e Punëve të Jashtme dënon sulmet vdekjeprurëse të ndodhura një ditë më parë në qytetin Reyhanli të Turqisë, në kufi me Sirinë, ku humbën jetën dhjetëra persona.

Në një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti dërguar homologut turk, Ahmet Davutoglu, Ministri i Punëve të Jashtme Aldo Bumçi thekson: “Mësova me keqardhje të thellë lajmet për sulmet vdekjeprurëse në Reyhanli. Qeveria Shqiptare dënon fuqishëm këto akte të shëmtuara kundër një aleati të NATO-s dhe mbështet popullin dhe qeverinë e Turqisë për t’i nxjerrë vendosmërisht fajtorët e këtij sulmi para drejtësisë. Në këto momente dhimbjeje më lejoni t’ju shpreh, përmes jush, ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e viktimave si dhe ndjenjat e simpatisë së thellë dhe solidaritetit për popullin turk”, - përfundon telegrami i ministri Bumçi.

Dy ditë më parë, rreth 40 persona humbën jetën dhe 29 të tjerë u plagosën në qytetin Reyhanli, si pasojë e disa sulmeve të ndodhura në kufi me Sirinë.

Dy automjete të ngarkuara me lëndë eksplozive shpërthyen para bashkisë dhe godinës së postës në qytetin Reyhanli, që ndodhet në pikën kufitare turke Cilvegozu, përballë së cilës ndodhet pikëkalimi kufitar i Sirisë, Bab al-Hava.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›