E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Bogdani: Dyshja Rama-Kokëdhima e dështuar

TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka hedhur sot akuza në drejtim të kryesocialistit Rama dhe kandidatit për deputet të PS-së në Vlorë, Koço Kokëdhima.

Bogdani ka shkuar në shkollën “7 Marsi” ku vite më parë rrëzimi i tavanit në një klasë u ka rrezikuar jetën disa nxënësve. Sipas tij punimet e kësaj shkolle janë bërë nga firmat e ndërtimit të zotit Kokëdhima.

“Modeli Rama-Kokëdhima i kanë vënë kthetrat kryeqytetit, tani duan t’ja vënë të gjithë shqiptarëve. Trëndafili i kuq i PS është zëvendësuar nga thesi i Koço Kokëdhimës. Sot ndodhemi në shkollën ‘7 Marsi’ e rikonstruktuar nga zoti Kokëdhima ku tavani u ra në kokë nxënësve. Klaudja vuajti modelin e dështuar të kësaj dysheje të dështuar që sot synon t’i hedhë tavanin në kokë gjithë shqiptarëve”, tha Bogdani.

Ndërsa Klaudja një nga nxënëset e plagosura asokohe, pretendoi se në drejtim të saj dhe familjes nuk ishte adresuar as edhe një falje.

“Fillimisht menduam që ishte aksident, por pastaj mësuam se erdhi si pasojë e punimeve të dobëta. Pse nuk më kërkoi falje zoti Kokëdhima, si qytetare pretendoja një më fal”, u shpreh ajo.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›