Ajet Shehu, një shqiptar te Tottenham Hotspur
I riu shqiptar ka një të ardhme me perspektivë për kombëtaren shqiptare
Pasaporta
Emri: Ajet
Mbiemri: Shehu
Datëlindja: 31.12.1990
Pozicioni: Qendërmbrojtës
Klubi: Tottenham Hotspur
Ndeshje me kombëtare: asnjë
Skuadra angleze e Premier League, Totenhem Hotspur, në Akademinë e saj për të rinjtë, ka të regjistruar edhe një talent shqiptar. Emri i tij është Ajet Shehu, i cili luan në rolin e qendërmbrojtësit. Ajeti ka lindur në Kosovë dhe ka emigruar në Angli me familjen e tij dhe është stërvitur rregullisht me Akademinë e moshës nën 18 vjeç gjatë sezonit 2007 2008.
Gjate sezonit të sivjetshëm ka luajtur si zëvendësues në disa takime me skuadrën U 18, ndërkohë që gjatë muajit nëntor 2007 u aktivizua në 3 takime për skuadrën e 18-vjeçarëve të Norëich City.
"Ajet Shehu është një lojtar i ri, i cili nuk ka luajtur shumë me skuadrën U 18 të Totenham Hotspur. Për një lojtar që vjen nga një sistem futbolli europian, tjetër nga ai anglez, është shumë e vështirë për ta që të adaptohen menjëherë," - tha Ray Lo, i ngarkuari me aktivitetet e Akademisë së 18-vjeçarëve të Totenham Hotspur. Në 5 janar të këtij viti, Ajeti u aktivizua si zëvendësues që nga minuta e 65 të në fitoren e thelle 5 0 që të rinjtë e Tottenham arritën në fushen e tyre ndaj vizitorëve të Cardiff City.
"Aktualisht Ajeti luan si zëvendësues dhe akoma nuk ka shpërthyer me skuadrën e të rinjve. Në ato takime që është aktivizuar, nuk ka paraqitur formë shumë të mirë, por kjo nuk do të thotë që ai nuk është i përshtatshëm për skuadrën," - vazhdoi Lo, i cili, ndonëse e shikon mbrojtësin shqiptar të mos ingranohet ashtu siç duhet me sistemin e lojës së skuadrës U 18 të Totenham, përsëri mendon se Ajeti është një lojtar që mund të jetë shumë i nevojshëm për kombëtaren e moshave të Shqipërisë.